Murg, pse nuk jam e lumtur?
Kështu doja ta nisja këtë bisedë mes nesh. Në fakt tek po e imagjinoja takimin tonë të radhës, më erdhi shumë natyrshëm kjo pyetje. Ku qëndronte i gjithë problemi që unë i dashuroja iluzionet më shumë se realitetin? Mendoj se e di përgjigjen dhe ajo vjen sërish nga një pyetje. Kush është gjëja më e madhe që kam arritur në jetë?
Po të ma kishe bërë këtë pyetje përpara një ore përgjigjja do të kishte qenë kështu. Jetoj në Gjermani, punoj financiere, kam botuar disa libra, flas disa gjuhë, familja ime më pranon siç jam. Nuk do të kisha një përgjigje specifike. Do të listoja thjesht një tërësi ngjarjesh fizike, se kështu na kanë mësuar sesi duket lumturia fizikisht, por të them të drejtën gjithmonë e kam ditur që lumturia nuk ka portret.
Tek po bëja punët e shtëpisë, për të mbajtur trurin të zënë e vërteta m’u shfaq përpara syve për herë të parë pas njëzet e gjashtë vitesh jetë. Arritja ime më e madhe në jetë ka qenë se kam arritur të fal veten. Ku qëndron mëkati fillestar? Çfarë bëra gabim që gjërat arritën në këtë pikë? Këto pyetje i bëjmë zakonisht vetes kur jemi në kohë krize, por rrallë kur jemi të lumtur. Në ato çaste duam thjesht të shijojmë momentin sepse nuk e dimë nëse një gjë e tillë do përsëritet sërish.
Murg mendoj se njeriu e ka keqkuptuar Zotin, por dhe Zoti veten. Kur e përzuri Evën dhe Adamin nga kopshti i parajsës, ne të gjithë duke përfshirë dhe Zotin menduam se akti në vetvete nënkuptonte ndëshkim. Duhet të shkonin drejt disa shtigjeve për të zbuluar procesin e faljes. Ndoshta kjo qe ajo çfarë Adami dhe Eva menduan, që duhet të gjenin rrugën e tyre për tu kthyer sërish në parajsë.
Kush është mëkati i parë?
Ndoshta fakti që Eva nuk e fali kurrë veten që u josh nga gjarpri. Ndoshta se Adami nuk e fali kurrë veten që u bind nga Eva. Ndoshta Zoti nuk e fali kurrë veten që shëmbëlltyra e tij nuk ishte perfekte siç ai kishte dashur. Mendoj se këtu nisi gjithçka.
Pse e kam dashur imagjinatën time më shumë se realitetin? Ndoshta sepse prindërit ashtu si Zoti ndëshkimin e konsiderojnë proces mësimi dhe njohje të faljes. Ndoshta sepse atyre askush nuk iu ka mësuar një version tjetër të jetës. Dhe prindërit e tyre përpara tyre e kështu me radhë.
Unë humba në botën e iluzioneve sepse nuk arrija dot të falja veten për pafuqinë time për të ndryshuar botën. Sepse unë doja të arratisesha gjithmonë që fëmijë. Sa herë prindërit e mi më linin vetëm, ky ishte i vetmi mëkat që unë bëja. Largohesha në rrugë që nuk i njihja dhe nuk kisha frikë. Ndoshta sepse të arratisem është gjëja më e jashtëzakonshme që unë kam.
Pse nuk jam e lumtur Murg?
Ndoshta sepse njerëzit rreth meje nuk janë të lumtur. Ndoshta sepse askush nuk di të falë veten, veç të tjerët. Raporti më i madh i dashurisë dhe vetmisë është mes njeriut dhe vetes, jo njeriut dhe të tjerëve.
Si e mësova këtë?
Ndoshta duke lexuar, duke shkruar, duke shëtitur, duke u kujdesur për të vdekurit, duke fjetur në varreza, duke gënjyer veten.
Pse vdekja e I.K më shkatërroi?
Sepse ai ishte dera ime e arratisjes. Ai ishte çelësi që hapte çdo derë drejt lirisë. Dhe për këtë ndëshkova veten për vite me radhë. Unë nuk munda ta shpëtoja. Faji im ishte që isha fëmijë. Dhe kur një fëmijë bën një gabim ai duhet të ndëshkohet. Të humbasë diçka për të kuptuar vlerën e asaj që ka humbur.
Pse kam bërë kaq shumë gabime?
Besoj ngaqë m’u deshën kaq shumë vite për të kuptuar kush ishte gabimi im fillestar. Pa aftësia për të pranuar një proces të tillë krijonte hapësira boshe që mbusheshin me gabime. Një ditë u zgjova dhe u përpoqa ta pastroj jetën time, por asnjëherë pa e pranuar mëkatin fillestar. Unë isha fëmijë, si e tillë duhet të jetoja, por njerëzit si unë nuk mund të ishin asnjëherë fëmijë. Për shkak të vendit ku kisha lindur, për shkak të kushteve ekonomike, për shkak të dhimbjes që më rrethonte.
Kush është mëkati i parë që bëri Zoti?
Mendoj se ai nuk fali dot veten që me gjithë madhështinë që mban nën vete, nuk ia doli dot të pranonte që është në rregull të gabosh. Që faji nuk ka nevojë për një ndëshkim. Ndaj ai humbi njeriun e parë. Për të ndëshkuar veten ai i përzuri duke e bërë Adamin dhe Evën të besonin që ndëshkimi është zgjidhja.
Pse nuk jam e lumtur?
Sepse unë e ndëshkoj veten çdo ditë. Sepse asgjë që bëj nuk mjafton për të kthyer kohës pas. Se nuk i jap dot qetësi prindërve të mi. Se nuk kam qenë një motër e mirë, një mike e denjë.
Sot në përballje të plotë me vetveten besoj që e di si mund të jem e lumtur.
“Të kam falur për të gjitha”.
Këtë po i them vetes sot duke biseduar me ty. Dua që ti ta shpërndash këtë gjë që gjithë njerëzit ta lexojnë. Mendoj që jemi të gjithë njëlloj dhe pse kaq ndryshe në çdo hap. Mëkati fillestar është emëruesi i përbashkët i jo lumturisë sonë.
Unë mendoj që e di rolin tim në këtë botë. Tani jam e qetë. Kjo është lumturia Murg. Ky është fundi ynë pa tre pika.