Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ishte stacioni i fundit i autobusit “Realizo ëndrrën”, me të cilin Bashkimi Demokratik për Integrim ka lëvizur gjatë kësaj fushate në kërkim të votës për kandidatin për kryeministër, Naser Zyberin. Me të ishte edhe kreu i integristëve Ali Ahmeti si dhe një pjesë e kandidatëve për deputetë.
“Le ta realizojmë këtë ëndërr. Ëndrra realizohet duke votuar numrin 9 dhe destinacioni ynë përfundimtar, pas godinës së demokracisë, të jetë qeveria, ta përfundojmë detyrën tonë me pjesëmarrje masovike më 15 korrik dhe ëndrrën ta shndërrojmë në realitet”, deklaroi kandidati për kryeministër, Naser Ziberi.
Kreu i BDI-së Ahmeti tha se ideja për kryeministër shqiptar është për të larguar të gjitha pengesat për barazi të plotë, por hasi në reagime të përshpejtuara dhe të pashpjegueshme.
“Të flasësh pa menduar është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë. Ne e kemi menduar gjerë e gjatë këtë hap. Nga realizimi i këtij synimi përfitojnë të gjithë, ashtu siç kanë përfituar të gjitha komunitetet më të vogla nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti tha se pret që të gjithë, edhe komuniteti maqedonas, në këto zgjedhje të votojnë numrin 9. Nga ana tjetër edhe kandidati për kryeministër premtoi se do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve, do të mbrojë interesat e tyre, pa bërë dallime të përkatësisë a prejardhjes.