Alsat 2020-07-12T15:59:34+02:00
“Në prapavijën time ndodhet vendi i quajtur “Çairçanja” këtu në Komunën e Çairit, në të cilin duhet të ndodhet njëra nga garazhet në kate e premtuar gjatë fushatës parazgjedhore nga BDI në programin parazgjedhor të quajtur “Kontrata”, mirëpo siç po e shihni në këtë vend ende nuk figuron asnjë punim”.
Përveç Çairçanes, në zgjedhjet lokale BDI premtoi se në Çair do të ndërtohen garazhe ne kate edhe të një te “Saat Kulla”, te Teatri Shqiptar dhe te Sheshi “Skënderbeu”. Asnjëra deri më tani nuk është realizuar. Qytetarët thonë se nuk besojnë në realizimin e premtimeve.
“Ne në këtë komunë gjithmonë jemi me shpresa. Para zgjedhjeve gjithmonë kur kanë premtuar një gjë, në realitet nuk kanë arritur ta realizojmë”.
Nga Komuna e Çairit, arsyetohen duke thënë se procedurat janë të ndërlikuara.
Kemi të bëjmë me një procedurë pak më delikate e cila kërkon ndryshimin e Planit detal urbanistik. Procedurë e cila duhet të kalojë edhe në Qytetin e Shkupit dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Ne kemi kryer punën tonë duke i dorëzuar kërkesën për ndryshimin e Planit detal urbanistik në institucionet kompetente për këtë çështje, por ende nga atje nuk kemi një përgjigje lidhur me këtë çështje administrative – tha Kushtrim Alla, Komuna e Çairit.
Por nga Qyteti i Shkupit thonë se ndërtimet e objekteve janë drejtpërdrejtë kompetencë e Komunave.
Qyteti i Shkupit në asnjë mënyrë nuk mund ta pengojë Komunën e Çairit që të japë leje ndërtimi. Kompetencë e qytetit të Shkupit është që më pas të japë licencë e cila do të mundësonte që parkingu të punojë -thonë nga Qyteti i Shkupit.
Komuna e Çairit nuk ka realizuar edhe shumë projekte të tjera të parashikuara në programin parazgjedhor të zgjedhjeve vendore të vitit 2017. Ndër to është edhe projekti për efikasitetin energjetik, në këtë komunë.
Mefail Ismaili