Latif Mustafa
Afrimin për herë të parë e kam njohur përmes grupit muzikor Xhepat e Zbrazëta dhe albumit të saj “Nesër është”. Në fakt, kurrë se kisha imagjinuar se “ai” Afrim është ky Afrim që e njoh sot. Këtë e zbuluam krejt rastësisht gjatë një kafeje mëngjesit në një ditë vere në zyrat e Revistës Shenja të cilat ndodheshin në objektin e Vilajetit të Shkupit karshi kalasë. Desh vdiqa së qeshuri kur mora vesh rreth peripecive në realizimin e atij albumi edhe pse grupi një vit më herë kishte debutuar në një festival të organizuar në Shkup. Komike ishte se grupi vërtetë kishin qenë trok nga xhepat, por qëllimi i tyre ishte krejt i dëlirë dhe fëmijëror: albumi ta shoh dritën, ta shohë botën. Qeshesha unë, qeshej edhe Afrimi. Në shqiptarët kishin marrë guximin ta shprehnin veten ndaj botës; jashtë të ndikuar nga valët e reja të hip-hopit dhe zhvillimi urban kishte kapluar edhe pjesën shqiptare të Shkupit. Thelbi i teksteve të këtij është një formë e narracionit transitor ku rinia shqiptare, mbase edhe të ndikuar nga seriali Beverly Hills kishin “zbuluar” dhe ndjerë nevojën për t’a shprehë dashurinë dhe bërë atë të përbotshme qoftë edhe përmes imazheve plastike të modernitetit të vonshëm; instrumentet elektronike në formën e Alphaville, por me motive të sublimuara të dashurisë idilike dhe realitetit kulturor shqiptar të viteve ’90 në Shkup.
Me Afrimin, për ca kohë, kemi punuar në Revistën Shenja, teksa më vonë ai themeloi Lëvizjen Besa. Ai dha dorëheqjen nga revista, kurse unë vazhdova në revistë. Nëse sot përpiqeni ta njihni identitetin politik të Afrim Gashit, mjafton të hulumtohen tematikat e punuara dhe editorialet e tij gjatë kohës sa ai ishte kryeredaktor i revistës. Revista Shenja, për gjithë ato vite sa ka qenë nën menaxhimin e tij, ka prodhuar një ligjërim të fuqishëm patriotik, me tone të theksuara kritike për shtresën e tanishme politike, por gjithmonë në përpjekje të konservimit të traditës shekullore bosht i së cilës ishte vatra – familja shqiptare. Kemi kaluar ditë të lumtura me Afrimin, debat, muzikë e qesëndi.
Afrimin e kujtoj edhe të dëshpëruar. Nuk më hiqet para sysh, as dëshpërimi i asaj dite vjeshte, gjersa po ktheheshim nga Universiteti Ballkanik. Ishte mëngjes me shi. Me veturën e tij, “Renault Scenic” u nisëm drejt kampusit të vjetër, ku aty punonte një ish bashkëpunëtor i tij. Kishte ca kohë që Afrimi na kishte shpërndarë një platformë tentative politike të Lëvizjes Besa dhe tani pas disa muajsh, po shkonim që të takoheshim me ish bashkëpunëtorin e tij për të marrë kritikat, sugjerimet dhe vështrimet e reja në lidhje me platformën dhe subjektin. Ai, si ligjërues universitar që ishte, lëre që nuk e kish lexuar por edhe dëshpëroi me qëndrimin se, Maqedonia nuk kishte nevojë për subjekt të ri politik. Imagjinoni, ky person, do të bëhej lideri i lëvizjes Besa. Afrimit iu kishte bërë fytyra tokë nga dëshpërimi e idhnimi. Më kujtohet fort mirë ajo ditë e rand vjeshte. Më kujtohet dëshpërimi i tij me rastin e përçarjes së Lëvizjes, vandalizmi i zyreve dhe odiesada e ndërskamcave për fitimin e legjitimitetit politik. Ditë të kaluara, por jo të harruara. Se veç naivët harrojnë.
Ka shumë gjëra për të shkruar për Afrim Gashin. Shumë kujtime për një kohë të shkurtër, por sa dy jetë. Nuk mund ta harroj fjalimin e tij mbajtur në protestën e 13 Qershorit më 2015, protestë kjo e cila ishte sihariqi i një fryme të re politike dhe kumti i perëndimit të idhujve të vjetër politik.
Afrim Gashi, përkundër gjithë kësaj ecejake politike hiq ca kilogramë që ka shtuar, nuk ka ndryshuar fare në karakterin e tij. Habitem se si politika nuk e ka gllabëruar këtë njeri. Afrimi reflekton njerëzi. E njerëzishmja është e vështirë t’i përballoj politikës. Habitem se si ka mbijetuar politikës, sinqerisht. Mbase ne nuk e vlerësojmë sa duhet fuqinë e sinqeritetit. Morali dhe sinqeriteti i tij i patundur, e ka triumfuar atë ndaj çdo beteje dhe sfide djallëzore. Afrimi është shpresë. Politika dalëngadalë po i kthehet binarëve të përgjegjësisë publike dhe thelbit etik të saj. Afrimi edhe nëse s’do mund ta ndryshonte politikën, as politika s’ka për ta ndryshuar atë. Afrimi është edhe djalë inteligjent e me durim milingone. Por ama, tek njerëzit midis inteligjencës dhe moralit, prirem ta vlerësoj moralin sepse inteligjenca është diçka e dhënë kurse e njerëzishmja e kultivuar nga familja dhe përpjekja e individit. Arti për të qenë njeri nuk e dhënë nga Zoti. Është përpjekje e rëndë njerëzore bazuar në vullnetin e tij të lirë. Njerëzit e gatuar me idenë e së Mirës priren të bëjnë mirë. Politika ka mjaft njerëz inteligjent, por u mungojnë njerëzit e mirë. Bashkimi i inteligjencës dhe mirësisë është thelbi i veprimit politik. Afrimi është gërshetim. Ai do të jetë ura lidhëse midis politikës dhe gjeneratave kreative e me përgjegjësi të lartë publike. Se sa mund të bëjë Afrimi dhe subjekti i tij politik dhe në përgjithësi koalicioni ASH-AAA mbetet për t’u parë. Por ama jam i sigurt, Afrimi nuk do të jetë dhe nuk mund t jetë kundër vetes, kundër njeriut dhe njerëzores.
Unë i besoj Afrim Gashit!
Unë i besoj Afrim Gashit!