(Avni Halim: PUS (dramë), botoi “Konica press”, Shkup, 2020)
Një nga penat më të mira të letërsisë shqiptare që krijohet në Maqedoni, Avni Halimi, së fundi na vjen me një projekt të ri, përkatësisht me dramën PUS, gjini kjo që ndër ne fare pak kultivohet. Bëhet fjalë për një tekst artistikisht të realizuar në mënyrë brilante, e cila është ndërtuar mbi bazën e një teksti me formë klasike, me plot elemente nga antropologjia kombëtare dhe nga identiteti kulturor. Autori këmbëngul në një përmbajtje të këtillë, sepse dramaturgjia kombëtare pothuaj do të na ngelë pa identitet. Shoqëritë e mëdha i japin rëndësi këtij elementi, pra dramaturgjisë kombëtare, ndërsa falin edhe dramaturgji universale që i përkasin kohëve, hapësirave dhe shoqërive të ndryshme.
Porosia e dramës PUS është e qartë: sa më larg njohjes se vetvetes, aq më larg ndershmërisë, sa më larg njohjes së shoqërisë aq më larg vlerave morale, sa më larg kodeve humane aq më larg identitetit të mirëfilltë kombëtar e kulturor.
Ngjarja e dramës PUS ndodh në vitet 30-ta të shekullit të kaluar, në vitet kur një pjesë e shoqërisë shqiptare po kalonte nëpër sistemin mbretëror të Mbretit Zog dhe përfundon vetëtimthi në kohën e sotme. Në fakt, ngjarja zhvillohet në një fshat malor, fshat i paprekur nga informacioni, i pamotivuar për të qenë në proces, në një shoqëri ku manipulimi në emër të kodeve kanunore konceptohet si aftësi dhe ndershmëri, ku vlerat morale më i forti dhe vetëm të tijat pranohen si të moralshme.
Drama PUS le të jetë një shkas që teatrot tona t’i kthehen dramës origjinale dhe jo për shkak të disa arsyeve banale, të përcaktohen vetëm për tekste të huaja. (H.B.)