Sot ambasadori i Republikë së Bullgarisë në Shkup, Shkëlqesia e Tij, z. Angel Aleksandrov Angelov, ishte në vizitë në SHB “Logos-A”, ku u prit nga drejtori, dr. Adnan Ismaili.
Me këtë rast drejtori Ismaili e njoftoi Ambasadorin Angellov për veprimtarinë botuese të Logosit, duke theksuar se Logos-A është ndër botuesit e paktë në vendin tonë dhe botuesit e rrallë shqiptar që ka botuar edhe në gjuhën bullgare.
Ambasadori u interesua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e përkthimit të letërsisë bullgare në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Në frymë të kësaj drejtori Ismaili e njoftoi mysafirin se tashmë kanë iniciuar përkthimin e një romani të Kim Mehmetit në gjuhën bullgare, ndërsa me kënaqësi do të pranonin të përkthejnë dhe botojnë edhe vepra letrare nga gjuha bullgare ne gjuhën shqipe.
Ambasadori shfaqi shpresën se botimet e Logosit dhe të botuesve të tjerë shqiptarë do të prezantohen edhe në panairet e librit në Bullgari dhe bashkëpunimi ndërkulturor do të thellohet.
Në fund të takimit, në shenjë të urave të bashkëpunimit të pritur, drejtori Ismaili ia dhuroi Ambasadorit një punim me Urën e Gurit të Shkupit.