Një pjesë e Maqedonisë së Veriut duket tërësisht i boshatisur, ndërsa pjesa tjetër e saj me numër shumë të madh të qytetarëve. Kjo pasi Qeveria këtë herë ka sjellë vendim për karantinë 80-orëshe në komunat më të prekura me koronavirus, ndërsa në komunat e tjera qytetarët mund të lëvizin prej orës 5 deri në orën 16:00.
Ky vendim i Qeverisë bëri që Shkupi të boshatiset.
Rrugë të zbrazura, pothuajse asnjë njeri në rrugë, tek tuk shihet ndonjë makinë, shoferët e të cilëve kanë leje për qarkullim gjatë orës policore.
Nga ana tjetër pasqyrë tërësisht ndryshe në komunat ku qytetarët mund të lëvizin deri në orën 16:00. Për t’i ikur karantinës 80 orëshe, dhe për të shfrytëzuar vikendin e zgjatur për shkak të festës, qytetarët u nisën drejt këtyre vendeve për pushim.
Kolona të gjata pritjesh dje nëpër autostrada ku shumica e qytetarëve janë nisur drejt Ohrit dhe Strugës. Rradhë të gjata pritjesh edhe para bankave dhe marketeve gjatë ditës së djeshme, ku qytetarët po furnizoheshin me ushqime për 80 orët e ardhëshme në karantin.
Këtë vendim qeveria e solli në seancën e fundit dhe i njejti vjen pas rritjes së madhe të numrit të të infektuarve të rinj me koronavirus. Karantinë 80 orëshe ka për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë. Ndalesa për lëvizje ka hyrë në fuqi mbrëmë në orën 21:00 dhe do të zgjas deri në orën 05 të mëngjesit të së hënës.
Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje e cila filloi në orën 21 deri në orën 05 të mëngjesit të sotëm. Ndalesë për lëvizje do të kenë edhe ditëve të tjera të fundjavës së zgjatur, gjegjësisht edhe të premten, të shtunën dhe të dielën e cila do të fillojë në orën 16 dhe do të zgjasë deri në orën 05 në mëngjes.
Për shkak të festës “Dita e Shpirtrave” ndalesë është vendosur edhe për vizitën në varreza në mbarë territorin e shtetit.
Vendimi për vendosjen e sërishme të ndalesës për lëvizje është marrë në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektuese, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ndalesë për lëvizje në territorin e të gjithë shtetit pati deri në datën 26 të muajit të kaluar, kur u pezullua tërësisht. Ora policore do të jetë njësoj sikurse ishte paraprakisht, pra do të ketë përjashtime për aktivitetet bujqësore, barnatoret, shtëpitë e shëndetit, policinë, ushtrinë , punonjësit shëndetësorë, marketet dhe restoranet që bëjnë dërgesa të produkteve. Do të vazhdojnë të vlejnë të gjitha lejet e dhëna për ndalesat paraprake të lëvizjes. Ndalesa e lëvizjes nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre të cilët duhet të posedojnë dokument.