Mbrëmjen e një dite më parë në bulevardin “Cvetan Dimov”, u vendosën bankina prej betoni. Të njëjtat fillonin në afërsi të kopshtit “Fidani” dhe përfundonin tek shkolla fillore “Liria”, ndërsa hapësirë të vetme mes bankinave kishte tek rruga e këmbësorëve në “Çairçanjë”. Qytetarët nuk e kishin të njohur arsyen e vendosjes së tyre dhe pse pikërisht ata duhej të ishin prej betonit.
Të anketuar nga Televizioni Shenja disa qytetarë ishin kundër këtij veprimi. Ata thoshin se një gjë e tillë është e pa pranueshme dhe se kjo bëhet vetëm tek lagjet e shqiptarëve. Sipas tyre ka pasur rrugëdalje të tjera në vend së të vendoseshin këta siç i quajnë barrikada, mund ti zgjeronin rrugët ose të vendosnin semafor.
Qytetar:
“Vet syri po tregon se nuk është aspak mirë. Kjo nuk është mirë barrikadë të vendosësh në mes të qytetit. Pse nuk e zgjerojnë rrugën ose të vendosësh semafor, ka rrugëdalje tjera… vetëm neve nuk na vlerësojnë si shqiptarë, si njeri, por e kemi një vlerë shumë të keqe. Po tregon edhe vetë pamja që e kanë bërë. Ku ka ndodhur kjo, në Maqedoni a ka ndodhur diku?”
Qytetar:
“Pengon, kjo i pengon secilit…shife sa e lartë është ura afër shkollës për të hip njerëzit dhe për të zbritur. Por nejrëzit pleq nuk mund të ecin, si do të hipin 5 metër lartë”
Por kishte edhe prej tyre që e arsyetonin këtë gjë. Ata para kameras së televizionit tonë thonë se vetëm në këtë mënyrë populli mund të vetëdijesohet, por kjo nuk e zgjidh kaosin pasi veturat përsëri parkohen rreth rrugës. Mirëpo thonë se ky vend ka edhe shumë punë tjera për ti rregulluar.
Qytetar:
“Shumë mirë e kanë bërë, bile edhe hekra është dashur të vendosin mbi. Jam i kënaqur me këtë. Dikujt nuk i konvenon, ja përsëri veturat parkohen edhe policia nuk janë duke punuar si duhet. Për një sandëich rri këtu e nuk e denon. Merrja targat dhe dërgoja dënimit në shtëpi, e jo me të njohur… le ta denojnë si për mua si për atë si për të gjithë. Vizë-bardhat le ti pastrojnë shihe si është. Parkingit le ti pastrojnë. Ka vetura 30 vite rrijnë aty…Rrugët nuk janë të pastruara dhe rregulluara”.
Komuna e Çairit përmes një njoftimi tregoi se ata në bashkëpunim me Qyteti i Shkupit, po realizojnë projekt me të ciln synojnë që të bëjnë lehtësimin e lëvizjes dhe ti japin fund kaosit në rrugën më të frekuentuar të qytetit.
Komuna e Çairit
“Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit vijojnë me përkushtim koordinimin e tyre institucional për implementimin e projekteve efikase të komunikacionit për lehtësimin e lëvizjes në rrugët e Komunës së Çairit. Kështu filloi procesi i vendosjes e bankinave të betonit përgjatë bulevardit më të frekuentuar të qytetit “Cvetan Dimov” me qëllim që ti jepet fund kaosit që shkaktohej”.
Kjo rrugë shpesh herë ka qenë shkak për aksidente të shumta trafiku dhe disa prej tyre kanë qenë fatale.
Emine Ismaili /SHENJA/