Ministria e Kulturës është ajo që financon projektet e artistëve në vend. Por, kur bëhet fjalë për krizën që ka shkaktuar pandemia, zërat politik kanë vënë “gishtin” te ky institucion me qëllim që të mos shpenzohen paratë për kulturë dhe art dhe të njëjtat të shfrytëzohen për shëndetin e qytetarëve. Nga partitë politike, Lëvizja BESA ishte ajo që propozoi që buxheti i dedikuar për Kulturën, si mjetet e dedikuara për festivale të ndryshme, financimin e filmave dhe projekteve që në kohë krize paraqesin “luks”, të riorientohen në buxhetin e shëndetësisë dhe me këtë do të plotësohet hapësira në mungesën e mjeteve financiare të nevojshme për menaxhim më efikasë të pandemisë, shkruan Portalb.mk
Mirëpo, Ministria e Kulturës, në një bashkëbisedim (ekskluziv) për Portalb.mk, thotë se edhe pse kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia është e dukshme, ajo vazhdon të shpërndan kontratat tek artistët që kanë fituar projektin për vitin 2020. Dhe shuma e parave nuk do t’u shkurtohet. Ky veprim është në ndihmë të artistëve, që do të realizojë projektet e veta, por edhe të fitojnë një shumë të parave (honorar).
“Ministria e Kulturës edhe krahas krizës së koronës punon rrjedhshëm në procedimin e kontratave për realizimin e Programit vjetor. Sipas dinamikës së caktuar financohen projekte të cilat edhe krahas krizës shëndetësore kanë mundësi për t’u realizuar projektet ose një fazë e tyre e përcaktuar. Duke i respektuar dispozitat e Qeverisë dhe konkluzionet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë Institutit të Shëndetit Publik në periudhën e kaluar Ministria e Kulturës punon me kapacitete të zvogëluara, sipas kësaj është zvogëluar puna administrative lidhur me pjesën teknike për përgatitjen e kontratave për projektet e miratuara të Konkurseve vjetore. Prapë se prapë, duke pasur parasysh situatën e re të shkaktuar mund të informojmë në pjesën e Ministrisë së Kulturës se puna po zhvillohet sipas dinamikës e cila nuk do të ndikojë në realizimin e programit. Deri tani nuk ka vendim për shkurtimin e mjeteve, përpos një pjese të vogël jo të rëndësishme dhe jo esenciale për zhvillimin e programit të miratuar”, tha për Portalb, Faton Fazliu, shef i kabinetit në Ministrinë e Kulturës.
Për t’u realizuar projektet e kulturës, gjegjësisht për promovimin e tyre do të duhet që Ministria e Kulturës t’u rekomandojë artistëve (fituesit) masa për realizimin e projekteve.
“Ministria e Kulturës, rrjedhshëm punon në zbatimin e programit për vitin 2020. Jemi në pritje të rekomandimeve të reja nga Qeveria dhe nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse pranë Institutit të Shëndetit Publik, që sinqerisht shpresojmë të jenë në drejtim të lehtësimit të kushteve për lirimin sa më të shpejtë nga kushtet e deritanishme rigoroze. Jemi në pritje që edhe institucionet edhe artistët që sa më shpejtë të kenë mundësi që përmbajtjet e tyre drejtpërsëdrejti t’i ndajnë me publikun e vet.
Duke pasur parasysh situatën e shkaktuar, në Ministrinë e Kulturës bëhen analiza edhe për variantet e mundshme për realizimin e projekteve në pajtim me masat dhe rekomandimet e Qeverisë lidhur me gjendjet e shkaktuara nga virusi korona, ndërsa shqyrtohet edhe mundësia për vazhdimin e afatit për realizimin e projekteve.
Sikurse deri tani, ashtu edhe në periudhën që vijon gjendja dhe projektet që përfshijnë ngjarje publike, koncerte, shfaqe etj, do të realizohen në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë Institutit të Shëndetit Publik”, tha Fazliu.
Nga Ministria e Kulturës shtojnë se, në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme dhe funksioni në kushte të jashtëzakonshme në Ministrinë e Kulturës, mjetet e Buxhetit, në pajtim me kontratat e lidhura, paguhen për projektet për të cilat realizimi është i dukshëm dhe për të cilat nuk ekzistojnë pengesa lidhur me gjendjet e shkaktuara nga virusi korona.
Kuptohet se këta artistë të cilët kanë marrë mjete për realizimin e ndonjë projekti dhe për të njëjtin nuk ka pengesa që ta realizojnë, pas realizimit të plotë të projektit do të paguhet shuma e plotë.
Këto janë kohëra të vështira për të gjithë, theksojnë nga Ministria, jo vetëm për ne si kulturë, si shtet, por edhe për të gjithë botën. Nevojitet përkushtim dhe durim i madh që me sukses ta mundemi këtë armik të paparë.
Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar për punëtorët e kulturës dhe për të gjithë ata që janë pjesë përbërëse e kulturës, që së bashku t’i tejkalojmë sfidat në kulturë dhe përsëri të jetë pjesë e përditshmërisë sonë.