Sulmin nga huliganët në Kuvend më 27 prill 2017 deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi e kujton shumë të trishtë dhe ngjarje që nuk do donte të përsëritet asnjëherë. Ai në emisionin ‘Enter’ në TV SHENJA tha se në momntin kur huliganët sulmonin deputetët, ai vetë ka qëndruar përpara kryetarit të partisë së tij Ziadin Sela për ta mbrojtur nga sulmet, por në një moment kur atë e kishin tërhequr zvarrë kishte humbur kontaktin fizik me Selën. Sipas Rashidit, ngjarja e 27 prillit megjithatë ka ndikuar në anëtarisimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave aderuese me BE-në.
“Ne si Aleancë për Shqiptarët pavarësisht çmimin që paguam natën e 27 prillit jemi krenar sepse ishim vota e 61-të e domosdoshme e kthesës së madhe 27 prill”, deklaroi Rashidi.
Ai shtoi se megjithatë nuk janë të kënaqur nga drejtësia sa i përket fajtorëve të dhunës së 27 prillit kur dihet se Fetah Alimi i cili ishte figura kryesore që shpëtoi Ziadin Selën nga dhuna në Kuvend, sot gjendet në burg.