Një tubim në Vjenë të Austrisë ka zhvilluar sot Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Sela është pritur nga një numër i madh i bashkëvendasve tanë në Hollabrunn.
Takimi ka zgjatur më shumë se dy orë me shumë pyetje nga ana e mërgimtarëve, që dëshmon qartë se ekziston një interes i jashtëzakonshëm për zhvillimet politike në vend dhe ekziston gatishmëri për të udhëtuar drejt vendlindjes, për të mbështetur ndryshimin më 12 Prill.
Sela para mërgimtarëve ka shpalosur shumë plane dhe masa konkrete nga programi i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, për të gjitha fushat.
Ziadin Sela duke folur për rolin e mërgatës në jetën politike në vendlindje ka thënë:
“Roli i mërgatës sonë gjithmonë ka qënë promotor, mbështetës moral e material i të gjitha proceseve politike shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm.
Prandaj, ky interesim i jashtëzakonshëm që po tregon mërgata jonë për këto zgjedhje na jep forcën dhe bindjen që ndryshimi do të ndodhë sigurtë dhe fuqishëm më 12 Prill. Ndajmë bindjen se pikërisht mërgata jonë do të bëjë diferencën dhe do të vulosë përfundimisht legjimitetin e Aleancës duke hapur një kapitull të ri në politikëbërjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Sela më tej iu bëri apel të gjithë shqiptarëve gjithandej, në Evropë e më gjërë, që të shfrytëzojnë 12 Prillin kur është festë gati në gjithë shtetet e Evropës, që të vijnë të votojnë për Koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe njëkohësisht të shfrytëzojnë rastin të vizitojnë edhe familjet e tyre sepse pikërisht më 12 Prill do të vendoset për ardhmërinë e vendlindjes sonë.
Ndërkaq për ditën e nesërme, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela do të vazhdojë takimet në Vjenë dhe në Vells të Austrisë.