Shkruan: Rilind KABASHI
Emrat e shkollave natyrisht janë çështje kyçe, e vetme bile, e cila me ditë/javë/vite e preokupon vëmendjen e gazetarëve, politikanëve e analistëve. Të prindërve jo edhe aq. Ne merremi me vogëlsira për shkollat e femijëve tanë si: mungesa e sapunit e gjendja mesjetare në tualete, karriget e bankat e thyera, numri kundërligjor i nxënësve në një klasë, muret e plasura, kopshti me bërllog, gardhi i thyer, etj.
Pyetem edhe unë si shumë prindër tjerë, si t’ia sqaroj djalit tim 9-vjeçar e më vonë edhe vëllezërve të tij 3-vjeçarë – me çka e kanë merituar dicka të këtillë si në fotot e mëposhtme, edhe atë në pjesën më të lumtur e më të rëndësishme të jetës.
Kush po na shtyp tash, kush po na diskriminon, kush s’po na don… Poashtu pyetem pse as përgjysëm nuk shfrytëzohet buxheti i Ministrisë së arsimit për ndërtim dhe rikonstruim të shkollave fillore e të mesme… ku shkojnë paratë e komunës… pse nuk shfrytëzohen burimet e ndryshme për këto punë nga partnerë e donatorë të huaj… si shkolla e tij Rajko-Ismail-Brus Li nuk ka mjete për mirëmbajtje elementare të klasave e tualeteve por vite me radhë e jep me qira pronën e saj për një shumë fare simbolike prej gjithsej 300 euro në muaj prej objekteve afariste që punojnë turbo (lavazh, lulishte, marangoz e “ballon” sportiv).
Kush profiton politikisht e financiarisht në kurriz të fëmijëve tanë?
Përndryshe, si nip e stërnipa të mësueseve të para shqiptare në Shkup e Prizren fill pas Luftës së Dytë Botërore, mësuese të përmendura me dekada, edhe unë, edhe fëmijët e mi me padurim e presim hiper-demagogjinë e 7 Marsit. Derisa Naimi thoshte “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë”, ciniku/realisti përgjigjet “Secili popull e meriton udhëheqësinë që e ka!”