Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën e sotme për media, ka paralajmëruar se pas formimit të Qeverisë së re do të hiqen shpenzimet e rrugës për deputetët e Kuvendit. Në luftën kundër keqpërdorimit, krimit dhe korruposionit, Zaev ka paralajmëruar një masë të re për shpërblimin e të gjithë qytetarëve që do të denoncojnë raste të këtilla në bazë të së cilave do të hapen edhe lëndë gjyqësore.
Zoran Zaev
“Do ti heqim shpenzimet e rrugës për deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Që ta dëgjojmë zërin e qytetarëve në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit dhe korrupsionit do të ketë shpërblime për të gjithë ata që denoncimet e tyre do të paraqesin bazë për hapjen e lëndëve. Përveç kësaj do të vendosim edhe sistem elektronik për ndjekjen e lëndëve që dalin nga denoncimet për korrupsion”
Zaev tha se do të ndërmerren edhe hapa konkret në kuadër të kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës, që edhe një herë të bindemi se rruga e gjykatësve dhe prokurorëve drejt drejtësisë së pavarur është e sigurt. Por nga ana tjetër ai paralajmëroi edhe masa për ndjekjen e punës së gjykatësve dhe prokurorëve dhe shkarkimin e atyre që vjetërsojnë lëndët gjyqësore.
Zoran Zaev
Vijon process i pastrimit të plotë dhe thelbësor të gjyqësorit. Gjykatësit që me qëllim do të vjetërsojnë lëndë siç kemi raste në Gjykatën supreme dhe të gjitha gjykatat në vend, me automatizëm do të shkarkohen. Lëndët do të ndiqen në mënyrë elektronike dhe nëse konstatohet si dikush në gjyqsor nuk vepron me qëllim që të vjetërsohet lënda, alarmi do të aktivizohet dhe ai gjykatës ose prokuror do të shkarkohet me automatizëm. Këshilli gjykatës dhe i prokurorëve do të kenë për detyrë që vetëm ta verifikojnë atë. Fillojmë me kontrollin e detajuar të gjendjes pronësore të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve.
Kreu i LSDM-së, paralajmëroi edhe zvogëlim të administratës publike për 20 për qind me qëllim që të krijohet një administratë më efikase. Kjo nuk do të bëhet përmes largimeve të dhunshme, por Zaev tha se nëpunësit shtetëror do të kalojnë në sektorin privat dhe për këtë do të kenë edhe bonuse nga shteti për gjithë ata që vullnetarisht do të bëjnë transferim. Me qëllim të rritjes së transparencës, çdo institucion tha Zaev do të ketë obligim që katër herë në vit të organizojë ditë të hapur për qytetarët me qëllim që të mund të japin propozime, ide dhe kritika dhe për secilën prej tyre institucionet do të kenë tre ditë afat që të përgjigjen.