Alsat 2020-02-27T19:00:39+01:00
Rezultoi negative në tekstimin për virusin Korona edhe personi i fundit i cili u ishte nënshtruar kontrolleve. Bëhet fjalë për një pacient tjetër të arritur nga Italia kurse Ministria e Shëndetësisë thotë se për momentin, ky është personi i fundit për të cilin janë pritur rezultate dhe për momentin nuk ka person tjetër ndaj të cilit bëhen kontrolle. Për momentin dymbëdhjetë persona ndodhen në izolim shtëpiak, tetë nga të cilët bashkëudhëtarë në furgonin në të cilin ka qenë e prekura dhe katër të tjerë familjarë të tyre. Dy nga të izoluarit janë fëmijë të moshës katër vjeçare. Deri në përfundimin e fazës së izolimit, atyre do iu dërgohet ushqim, ujë dhe ilaçe nga ana e Kryqit të Kuq me qëllim që të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe të mos kenë kontakt me persona të tjerë. Ndryshe, gjatë mbrëmjes së djeshme janë testuar edhe dy persona të tjerë të cilët kishin udhëtuar në Itali, rezultatet e të cilëve janë negative. Gruaja tek e cila u konfirmua koronavirusi ndodhet në izolim në Klinikën Infektive dhe pa komplikime të rënda.
Asnjëri nga të izoluarit deri në këto momente nuk ka simptome. Izolimi në spital nuk vlen derisa pacienti nuk ka simptome, derisa shfaqin simptome izolohen në kushte spitalore. Izolimi në shtëpi dhe nëpër institucione tjera vlen vetëm për personat e shëndoshë. “Gjatë ditëve të ardhshme do të identifikohen edhe objektet tjera nga ana e Qendrës për menaxhim me kriza, nesër do të vizitohen, me qëllim që të bëhen gati derisa ka nevojë që izolimi të kalojë nga ai shtëpiak në atë institucional- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Drejtori i OBSH-së për rajonin e Evropës u bëri thirrje qytetarëve që të mos shfaqin panikë, sepse situata është nën kontroll.
Ndjekim situatën me zgjuarsi. Sot jemi në fazën ku gjithçka është nën kontroll. Dua të përcjell dy mesazhe, njërin për qytetarët dhe tjetrin për Qeveritë e vendeve të Evropës. Qytetarëve ju them se nuk ka arsye për alarm dhe panik. Të mos harrojmë se çdo vit në pjesë të ndryshme të Evropës, nga gripi sezonal vdesin nga 60-65 mijë persona për çka dihet që ekziston edhe vaksinë mbrojtëse dhe e cila është preventiva më e mirë- pohoi Hans Kluge, Drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetit për Evropën.
Ndërkohë ministri i Arsimit tha se aktualisht nuk diskutohet mbyllja e shkollave, meqë situata nuk paraqitet alarmante. Ademi u shfajësua për mungesën e mjeteve higjienike nëpër shkolla, duke thënë se ajo çështje është nën kompetenca të drejtuesve të shkollave dhe komunave.
Kemi kërkuar nga të gjitha institucionet arsimore të ngrenë nivelin e higjienës, shkollat fillore dhe e mesme e dini se financohen drejtpërdrejtë nga buxheti shtetëror me bllok dotacione, kanë të holla të mjaftueshme për mirëmbajtjen e higjienës personale. Për momentin jo, jemi në komunikim të vazhdueshëm me MSH dhe ministrin Filipçe, në çdo orë i përcjellim rrethanat dhe varësisht rrethanave do të ndërmarrim aktivitetet tona institucionale- tha Arbër Ademi, Ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe, larja e duarve me sapunë është rekomandimi kryesor i autoriteteve shëndetësore si mbrojtje nga virusi Covid19. Për momentin numri i të prekurve në gjithë botën ka kaluar mbi 81,000 raste. Virusi është përhapur në 46 shtete të botës ku 20 prej tyre nga rajoni i Evropës. Gjatë 24 orëve të fundit 7 vende të reja kanë konfirmuar raste me Korona. Megjithatë nga numri i përgjithshëm i të prekurve 97% janë nga Kina.
Vjollca Aliti
Loading…