Gazetari Petrit Saraçin, njëherazi dhe aktivist në shoqërinë civile, përmes një statusi në fejsbuk ka reaguar kundër ministres teknike Mizrahi ku gjatë ditës së sotme ajo kishte deklaruar se ishte e gatshme të paguante gjobën 5 000 euro dhe mos e respektonte gjuhën shqipe.
Saraçini i kujton ministres Mizrahi se populli shqiptar, gjuhën e të cilit ajo nuk dëshiron ta respektojë, është pikërisht ai komb shqiptar që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund ai e mbyll statusin e tij me një apel për gazetarët shqiptar që t’i drejtohen ministres vetëm në gjuhën shqipe, dhe të presin reagimin e saj.
Reagimi i plotë në fejsbuk:
Dua të kujtoj ministren teknike Mizrahi se populli shqiptar, gjuhën e të cilit ajo nuk dëshiron ta respektojë dhe madje shprehet e gatshme të paguajë dënim për shkeljen e ligjit dhe mosrespektimin e gjuhës, është pikërisht ai komb shqiptar që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për dallim nga karakterët me të cilët mburren anëtarët e partisë të saj, si Vanço Mihajllov e të tjerë, të cilët i shërbenin nazizmit në atë kohë dhe ndihmuan Holokaustin dhe shfarosjen masive të hebrenjve.
Qoftë dhe nga Mizrahi, shumë është! U teprua! Për përhapjen e shqiptarofobisë institucionale, ministre Mizrahi, të paktën në mesin e shqiptarëve, nuk do t’ju kalojë mbrojtja nga gjoja antisemitizmi. Të lëmë anësh atë që jeni në shoqërinë e atyre që kërkonin “dhoma gazi për ‘shqiptarët’ “. Duke e bërë këtë sot, ju tregoni se nuk jeni vetëm bashkë-partiakë me ta, por jeni dhe bashkëmendimtarë.
P.S Inkurajoj kolegët gazetarë shqiptarë që pyetjet e ardhshme në secilën pres konferencë të ministres teknike Mizrahi ti shtrojnë në shqip. Të shohim se çfarë përgjigje do të marrin.