Kanë qenë familjarët e së ndjerës ata që kanë dhënë lajmin e trishtë. Vajza e saj, Cuce Pagarusha ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në Facebook.
Familjarët e Nexhmije Pagarushës kanë thënë se e ndjera ka kërkuar që varrimi i saj të bëhet pa ceremoni zyrtare dhe vetëm me praninë e familjarëve të ngushtë.
Varrimi i divës shqiptare pritet të bëhet nesër në fshatin Pagarushe të Malishevës.
“Kur vdesim, merret Zoti me ne. Për së gjalli, le të merren të tjerët”, kështu i ishte shprehur pak kohë më parë, e ndjera Nexhmije Pagarusha mikeshës së saj, Radije Hoxha.
Teksa vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, amaneti i saj ishte që të varrosej në vendlindje, në fshatin Pagarushë në komunën e Malishevës, Kosovë. Artistja kish’ kërkuar që të varrosej në një ceremoni private, ku të mos lejohej prania e shtetit në ceremoninë mortore.
Pagarusha, një emër i ndritur në muzikën shqiptare do të jetojë përjetësisht në kujtesën e kombit për këngët “Baresha”, “E dehur jam”, “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Dallëndyshe” dhe shumë të tjera.
Artistja e madhe lindi në Pagarushë, më 7 maj 1933. Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd pati paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 u pranua soliste në Radio Prishtinë. Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u shfaq në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjëri nga organizatorët teknikë nuk mendoi ta regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara prej saj, sepse, siç vetë Pagarusha është shprehur, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se Bilbili i Kosovës ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas 16 vitesh larg skenës, u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të drejtuar nga Ardit Gjebrea. Po kështu, Pagarusha ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.