Ndryshimet e teta me radhë të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike sot u gjendën në rend të ditës së Komisionit për transport, lidhje dhe ekologji në Kuvend. Me ndryshimet rregullohet mënyra e riemitimit të serviseve programore dhe radiodifuzerëve të huaj nga operatorët. Ndryshimet ligjore në fakt mundësojnë që operatorët t’i emitojnë kanalet televizive në mënyrë dhe me kushte të përcaktuara në nenin 143 të Ligjit, përkatësisht me të drejta të rregulluara autoriale dhe të ngjashme me televizionet, transmeton Meta.
Ndërkohë, operatorët e telekomit sot ishin në takim me presidentin Stevo Pendarovski. Gjatë takimit, përfaqësuesit e operatorëve e kanë informuar presidentin për mendimet e tyre në lidhje me futjen e propozim-ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike, në procedure kuvendore, të propozuar nga një grup deputetësh më 27 janar të këtij viti.
“Operatorët nga sektori i telekomit në takim i prezantuan argumentet e tyre, përkatësisht përse nuk pajtohen me ndryshimet e propozuara”, thuhet në komunikatën e kabinetit të presidentit.
Duke e pasur parasysh kompleksitetin e situatës, presidenti Stevo Pendarovski gjatë ditës së nesërme do të ketë takim edhe me përfaqësuesit e Asociacionit të Mediave të Maqedonisë të televizioneve nacionale private me qëllim të njoftohet edhe me aspektin e tyre të perceptimit të gjendjes, informojnë nga kabinet i i presidentit.