Kohëve të fundit, shpeshherë, e dëgjojmë shprehjen “mos u djeg në politikë”. Është mbase e vërtetë që, në shumë raste, politika të djeg. Pak kapital dhe bagazh intelektual e kulturorë që ke bërë, politika ta djeg. Bazuar në logjikën e thjeshtë se, i gjithë ky bagazh, që është bërë me mund e me djersë, i jepet krejt falas një lideri ordiner dhe një partie çfarëdo. Në një kuptim tjetër “mos u djeg në politikë” ose “ e dogji kartën në politikë” thuhet individëve të cilët janë treguar naiv dhe janë rreshtuar në anën e gabuar, në anën e humbësve apo opozitarëve.
Në fakt, janë dy persona që “digjen nga politika”.
Personi i parë është personi i cili bagazhin intelektual e njerëzor, ia dhuron një partie bagazhi i së cilës, rëndon fort nga “mëkatet” politike. Ky person, duke u bazuar në intuitën e tij për nuhatjen e të pushtetshmit, thjesht, e “djeg” vullnetarisht virtytin e tij. Vullnetin e tij politik, e partizon për hir të një leverdie kalkulative, me ç’rast ai lehtësisht heq dorë nga gjithçka që ka krijuar për një post politik, përmes të cilit mendon se do të jetë më i lumtur.
Personi i dytë, të cilin e djeg politika, është pikërisht personi i cili “ruhet” dhe nuk përzihet askund me askënd. Ai, parapëlqen ta ndërtojë një kala të fildishtë, të mbyllet në atë kala dhe të krijojë imazhin e njeriut të përkryer dhe të dashur për të gjithë. Karriera profesionale, sipas tij, është më e rëndësishmja dhe paqja me gjithë secilin është mënyra më e mirë e krijimit të ekuidistancës, duke ushqyer iluzionin se do vijnë ditë më të mira. Në realitet, këta individ lëre që digjen vetë, por në mënyrë indirekte ndihmojnë që të digjen edhe të tjerët. Indiferenca e tyre përpos fatalitetit, jep mesazhin se intelektualizmi është qyqari dhe kalkulim.
Njeriu edhe po të dojë, nuk mund t’i shmang çështjet publike. Ai është pjesë e natyrshme e vorbullës politike. Por ama, individi i cili është i vetëdijshëm se, res-privata e tij është krejt e parëndësishme kur res-publika është e shkatërruar, asnjëherë s’mund të digjet politikisht. Nuk mund të digjet politikisht individi, i cili i beson një plani politik për shpëtimin e kësaj cope shoqërie që mund të shpëtohet dhe tjetra të meremetohet dhe sendërtohet konceptualisht. Në momente të caktuara politike, si në rastin tonë ku migrimi global po lëkund të gjithë ekuilibrat demografik, shoqëror e politik dhe lehtësisht do të përfshihemi në një kataklizëm shoqëror i cili vërtetë do të kërkojë nivelet më të larta intelektuale të intervenimit dhe kyçjes politike, brenda një vetëdije të tillë, assesi se nuk digjemi politikisht.
Një individ, asnjëherë nuk digjet politikisht, nëse shoqërisë i ka dhënë modelin e personit që e brengos çështja publike, nuk pranon të bëhet ndjekësi dogmatik i liderit dhe do të jetë gjithmonë zëri i arsyes që ndjek veç interesin më të lartë publik e shoqëror, brenda subjektit politik apo shoqërisë civile ku ai vepron. Ky person nuk digjet kurrë, por thjeshtë, na krijon trupin referent se kush në të vërtetë është i djegur politikisht.
Latif Mustafa