Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Ministrave të Kulturës në Paris, Republika e Francës, sot realizoi takim pune me zëvendësministren e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Ozgul Ozkan Javuz.
Në takim, bashkëbiseduesit u shprehen të kënaqur me marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, të cilat karakterizohen nga fryma e miqësisë dhe traditës, si dhe përpjekjet e vazhdueshme nga të dyja palët për avancimin e tyre.
U theksua se hapja e Qendrave Informative Kulturore në të dyja vendet do të mundësonte një frekuencë më të madhe në evenimentet kulturore dhe njohje të ndërsjellë të të dyja kulturave. Ismaili informoi se në programin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ka disa projekte që do ta avancojnë veprimtarinë e komunitetit turk në vendin tonë.U theksua se vitet e kaluara artistët nga të dyja vendet kanë marrë pjesë në shumë manifestime dhe festivale kulturore ndërkombëtare të mbajtura në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Turqisë, ndërsa ishte përmendur edhe prezantimi i rregullt i vendit tonë në Panairin e Librit në Stamboll.
Në kuadër të bashkëpunimit multilateral dhe bashkëpunimit me UNESKO-n ishte vënë në dukje edhe bashkëpunimi i shkëlqyeshëm midis Komisioneve Kombëtare të UNESKO-s të të dyja vendeve, si dhe regjistrimi i aplikacionit të përbashkët “Kremtimet pranverore Hidrelez” në Listën Përfaqësuese të UNESKO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.