Kryeministri Zoran Zaev sot pati takim me delegacionin e Republikës së Finlandës të udhëhequr nga ministrja e Punëve të Brendshme Marija Ohisallo, në të cilin është biseduar për metodologjinë e re për negociata për anëtarësim në BE të propozuar nga Franca, për respektimin e normave të njohura ndërkombëtarisht për ballafaqim me krizën e migrimit,si dhe për masat dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit.
Zaevi, siç informojnë nga pres shërbimi qeveritar, në takim ka shprehur falënderim për mbështetjen e Finlandës, e cila për momentin kryeson me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet të cilat i bën për Maqedoninë e Veriut që të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në.
“Qeveria plotësisht është e përkushtuar t’i inicojë dhe praktikisht i zbaton të gjitha proceset me qëllim të vendosjes së sundimit të së drejtës, demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë. Pa respektim dhe zbatim të këtyre parimeve është e pamundur të flitet për integrim evropian dhe euroatlantik të vendit tonë”, tha kryeministri Zaev duke nënvizuar se reformat në vend do të vazhdojnë edhe pse sinjali negativ i BE-së ndikoi mbi ngjarjet e brendshme politike në vend, pas çfarë janë caktuar zgjedhje të parakohshme për më 12 prill të vitit të ardhshëm.
Në takim, thuhet në kumtesë, është biseduar për metodologjinë e re për negociata të propozuar nga Franca, për të cilën Maqedonia e Veriut është e gatshme aktivisht të kyçet në miratimin e saj që të përshpejtohet realizimi i perspektivës evropiane për vendin dhe rajonin – anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, është biseduar edhe për respektimin e normave të pranuara ndërkombëtarisht për ballafaqim me krizën e emigrantëve, si dhe për masën dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit të cilat po ndërmerren për përballje me tregtinë e qenieve njerëzore dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ministrja e Finlandës Ohisllo është për vizitë në vendin tonë dhe merr pjesë në Forumin ministror për drejtësi dhe punë të[ brendshme, në suaza të kryesimit finlandez me Këshillin e BE-së, që sot dhe nesër po mbahet në Shkup.