Alsat 2019-11-13T09:50:15+01:00
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një intervistë për Deutsche Welle ka deklaruar se Gjermania po luftën që bisedimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë sa më shpejt. Diplomati gjerman thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
“Për Gjermaninë është e qartë: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Evropës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt. Unë dua edhe një herë ta bëj këtë gjë të qartë në Shkup”-tha Maas.
Lidhur me kundërshtimet e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, e cila refuzon hapur Marrëveshjen e Prespës, Maas tha në rast se cënohet Marrëveshja e Prespës, Maqedonia e Veriut rrezikon të futet në një qorrsokak në nivelin ndërkombëtarë.
“Marrëveshja e Prespës quhet me të drejtë marrëveshje historike. Maqedonia e Veriut dhe Greqia shuan me të një konflikt që zgjati gati tre dekada. Marrëveshja hapi derën për afrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kështu të dy vendet u kthyen në shembull për rajonin e më gjerë. Ato treguan se edhe konflikte, që mendohet se janë të pazgjidhshme mund të zgjidhen me forcë udhëheqëse, guxim dhe largpamësi dhe se kompromiset e vështira janë të mundshme. Shumë shpejt ne do të mirëpresim Maqedoninë e Veriut si vendin e 30-të anëtar të NATO-s. U hoq kështu edhe një pengesë në rrugën drejt BE. Unë nuk e imagjinoj dot që dikush mund ta shkatërrojë këtë shanc, sepse në nivel ndërkombëtar Maqedonia e Veriut do të futej kështu në qorrsokak”-pohoi Maas.
Për të bindur skeptikët, Maas thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera.
“Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konseguencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurrenca politike dhe idetë konkurruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit”-tha Maas.
Loading…