As në kohën e Gruevskit nuk është ndalur liria e shprehjes si sot në Tetovë. Sot grupi i aktivistëve nga OJQ “LOJA” në qendër të Tetovës me konceptin “TË PALARAT NË SHESH, MONSTRA E BËRLLOKUT” dhe “GRAD PRIX TETOVA”, vendosi ekspozitën me fotografi nga lokacione të ndryshme të Tetovës bashkë me premtimet e parealizuara parazgjedhore nga kryetarja Teuta Arifi. Por, pa kaluar as gjysëm ore nga vendosja, disa persona me veturën zyrtare nga Komuna e Tetovës erdhën hoqën ekspozitën e vendosur.
“Ky veprim skandaloz nga bandat e Teuta Arifit është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, që nuk na ka ndodhur as në kohën e regjimit të Gruevskit. Deri sa shteti ynë ka synim antarësimin në NATO dhe në BE, në Tetovë funksionimi i shtetit të së drejtës është në terr. Kërkojmë nga kryeministri dhe trupi diplomatik që të bëjnë presion ndaj Komunës së Tetovës që të respektojë kushtetutën dhe të drejtat e qytetarëve për lirinë e shprehjes”, kanë reagur nga kjo shoqatë. Ndërkohë ka reaguar edhe kryeministri Zoran Zaev, duke e vlerësuar si të papranueshëm reagimin e komunës që nga sektori civil është vlerësuar si “vandalizëm”, shkruan Gazeta Lajm.
“Për mua është i papranueshëm çfarë do lloj kufizimi i lirisë së shprehjes dhe i zerit kritik qytetar. Ne politikanët mundemi vetëm të mësojmë nga aktivistët e shoqërisë civile dhe nga kritika e tyre, sado që të mos na pëlqejë. Duhet vazhdimisht ta përmirësojmë shërbimin ndaj qytetarëve”, ka shkruar Zaev në Twiter.