Fotografi me mbeturina të shumta u vendosën në sheshin e Tetovës dhe para Shtëpisë së Kulturës nga aktivistët civil në shenjë pakënaqësie për problemet e shumta me të cilat përballet kjo komunë. Aktivistët e Qendrës Loja dhe Eco Guerillës, përmes një ekspozite të improvizuar me mbeturina rikujtuan kryetaren e komunës, për premtimet që ka bërë gjatë fushatës parazgjedhore që ende nuk janë realizuar. Megjithatë fotografitë nuk qëndruan shumë gjatë përpara Shtëpisë së Kulturës, pasi gjysmë ore pas vendosjes së tyre, ato u hoqën nga punonjës të Ndërmarrjes Publike “Tetova”.
“Aktiviteti është kryesisht transformimi i sjelljes publike, pra ky është aktiviteti përmbyllës i ditës pra ekspozita me premtimet e pa-mbajtura apo atë që ne e kemi quajtur të pa larat në shesh. Kjo do vazhdoj, ekspozita do jetë e hapur derisa dikujt t`i pengoj dhe ta heq”, deklaroi Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.
“Janë grup aktivistësh të rinj që ne i quajmë transformues, pra personat që trajnohen për të përdorur teknika artistike si formë e aktivizimit qytetar. Ne si shoqëri civile kemi limitet tona. Ne vetëm mund t’i adresojmë problemet në mënyrë paqësore dhe me mjete artistike dhe është politika pastaj ajo që duhet të reflektoj dhe të reagojë”, tha Bujar Luma, QBB “LOJA”.
Bashkim Sulejmani