https://www.youtube.com/watch?v=aOJtE5dCcfY
Në transkriptet dhe sms porositë që po lexohen në gjykatë për rastin “Monstra”, gjatë seancës së sotme u lexuan mesazhe ku Xhelal Bajrami, atëkohë zëvendës ministër i brendshëm e njofton liderin e partisë së tij, BDI-së, për të rejat e fundit, nga ky rast. Biseda e tyre është zhvilluar vetëm disa ditë pasi ka ndodhur vrasja e pesëfishtë, ku Bajrami i tregon Ali Ahmetit se dy gjurmët biologjike që janë gjetur, nuk korrespodojnë me ato të personave që ishin marrë në pyetje.
Ali Ahmeti -Xhelal Bajrami
“A.A: Si është gjendja?
Po presim kryetar, ende po presim, nuk ka dëshmi të fuqishme. Shihet qartë se kanë qenë profesional. I’a thash këtë edhe kryeministrit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të ekzekutohen fëmijë mbas shpine. Kjo nuk ka ndodhë as në luftën në Kosovë , as në konfliktin e 2001-it. Nëse dikush do të kishte dashur të destabilizojë do të kishte sulmuar persona me uniforma ose ndonjë stacion policor. Mua më ngjan skena sikur të luftës në ish Jugosllavinë. Kanë qenë profesionistë nuk kanë lënë asnjë gjurmë, përveç gjurmëve të gomave të veturës.
A.A: A janë gjetur brenda gjurmë biologjike?
XH.B: Janë gjetur dy gjurmë brenda por nuk i përgjigjen personave të cilët janë marrë ne pyetje”.
Rasti “Monstra” gjendjet në fazë të provave materiale dhe po lexohen mbi 133.000 sms porosi dhe transkripte, që Prokuroria i pati propozuar si prova shtesë. Sot është seanca e tretë që po lexohen të njejtat. Ndërkaq këtë herë emrat që përmenden janë: ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, zëvendësi i saj Xhelal Bajrami, ish kryeministri Nikolla Gruevski, lideri i BDI-së, i cili gjatë gjithë kohës citohet vetëm me iniciale si A.A. si dhe emrat e dy të akuzuarve Fejzi Aziri dhe Alil Demiri.
Jankullovska dëgjohet se si shpreh nervozizëm për atë se çfarë shkruajnë mediat, se sipas saj nxjerrin detaje më shumë se ç’duhet.
Gordana Jankullovska
“Idiotë. Ne çdo ditë po bëhemi majmunë. Nuk e di se ç’po bënë Ivo. Si duket këta tanët gjithçka po ju tregojnë me detaje”.
Poashtu, dëgjohet se një person i koduar N.N. flet me të akuzuarin Alil Demirin dhe interesohet për gjendjen e tij shëndetësore se a ka probleme me lukthin dhe nëse ka ngrënë dhe ka pirë.
Vrasja e pesëfishtë ndodhi më 12 prill të vitit 2012, ndërsa më 1 maj të po të njëjtit vit policia organizoi aksionin e koduar Monstra ku u arrestuan 20 shqiptarë mes tyre edhe gra, shumica e të cilëve u liruan një ditë më vonë për mungesë provash. Për këtë rast gjykata dënoi me burg të përjetshëm shtatë shqiptarë. Tani rasti është në rigjykim.
Emine Ismaili /SHENJA/