Në muajin gusht këto tabela u vendosën në tre përmendore të projektit “Shkupi 2014”.
Në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, njëra u vendos tek Aleksandri i Madh, njëra te Filipi II dhe e treta tek Olimpia. Vetëm një ditë pas vendosjes ato u demoluan nga persona të panjohur. E vetmja tabelë që ka ngelur është ajo me mbishkrim tek Olimpia në sheshin “Ibni Pajko”.
Por edhe dy muaj më pas, Qyteti i Shkupit i cili është kompetent, ende nuk po merr masa.
“Pllaka e cila u vendos këtu me mbishkrimin se Aleksandri i Madh i takon historisë dhe qytetërimit antik helen, u hoq nga qytetarët të cilët nuk pajtohen me këtë. E autoritetet ende nuk e kanë kthyer në vend”, Almedina Ismajli, gazetare.
Nga qyteti i Shkupit thonë se shërbimet inspektuese vazhdimisht janë në terren për të parandaluar këto incidente. Premtuan se tabelat do të vendosen përsëri, por nuk theksuan se kur.
“Sa i përket tabelave të dëmtuara, Qyteti i Shkupit do të sanoj pjesët e dëmtuara të përmendoreve, ndërsa mbishkrimet të cilat janë hequr do të vihen përsëri. Në rastet konkrete, të njëjtat janë paraqitur në institucionet përgjegjëse, të cilat po i ndërmarrin hapat në vazhdim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Vendosja e mbishkrimeve të reja në përmendoret e projektit “Shkupi 2014”, u bë në përputhje me nenin 8 paragrafi 2 të Marrëveshjes së Prespës, në të cilin thuhet:
“Në afat prej 6 muajve të hyrjes në fuqi të marrëveshjes, pala e dytë do të rishikojë statusin e përmendoreve, ndërtesave publike dhe infrastrukturës në territorin e saj dhe nëse të njëjtat në ndonjë mënyrë tregojnë për historinë dhe civilizimin antik helen, që është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore apo historike të palës së parë, do të ndërmarrë veprime korrigjuese me qëllim që të shqyrtojë çështjen dhe të sigurojë respektim të trashëgimisë së tillë.
Ndryshe tabelat ishin të shkruara në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht.