Alsat 2019-09-14T18:24:16+02:00
VMRO-DPMNE-ja opozitare e konsideron si manipulues propozimin e ri nga kryeministri Zoran Zaev për krijimin e Prokurorisë për korrupsion të lartë me shef të propozuar nga opozita, që do të ishte kompetente edhe për rastin “Reket”. Deputeti Antonio Milloshoski, i cili është pjesë e ekipit negociator të VMRO-së, pohon se mekanizmi i propozuar për zgjedhjen e njeriut të parë të Prokurorisë së re krijon hapësirë për përjashtimin e opozitës.
Opozita mund të nominojë nga personat e propozuar në konkurs një person, por nëse shumica në pushtet nuk jep pëlqimin dhe ky person nuk zgjidhet prokuror për korrupsion të lartë, atëherë shkohet në hapin tjetër, eliminimin e 40 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre që kanë aplikuar dhe lista tjetër që do të mbetet i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publik për të marrë vendim. Kjo do të thotë se pushteti në mënyrë deklarative ofron mundësi që opozita të propozojë dikë, por në fund epilogu do të përfundojë me fjalën kyçe të Këshillit të Prokurorëve ku Qeveria dominon dhe do të zgjidhet edhe një prokuror i përshtatshëm për Qeverinë”-tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Për Milloshoskin janë problematike edhe dispozitat e tjera nga propozimi i Zaevit, si për shembull, për të ashtuquajturën. kompetencë kohore të prokurorisë së re, nga dita kur do të jetë e formuar. Ai shprehet se ekipi negociator i partisë së tij në dy-tri ditët e ardhshme do të formulojë përgjigjet për propozimin e kryeministrit. Një ditë më parë kryeministri Zaev ia paraqiti opozitës dy propozime për ligjin e Prokurorisë. Të dy përfshijnë zgjedhjen e një prokurori me propozimin e opozitës.
Propozimi është Prokuroria për Ndjekjen e Korrupsionit të Lartë, me shef të propozuar nga opozita, të zgjedhur nga shumica parlamentare, në fund i verifikuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Por duhet së pari të gjejmë një prokuror serioz për këtë punë. Nëse i marrin të gjithë prokurorët, hetuesit, stafin e Prokurorisë Speciale, ata njerëz nuk mund të mbeten në rrugë, le ti marrin përsipër edhe kompetencat të drejtojnë rastet, dhe le ta marrin edhe Reketin”-pohoi Zoran Zaev, kryeministër
Propozimi i dytë i Zaevit është nëse opozita refuzon ta marrë përsipër ekipin, prokurorët e PSP-së, të kthehen në prokuroritë amë, dhe prokurori publik Jovevski ti shpërndajë lëndët e PSP-së. Bisedimet mes pushtetit dhe opozitës në nivel të grupeve të punës mund të vazhdojnë nesër.
ALSAT
Loading…