Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, mbrëmë në Shtip mbajti fjalim në hapjen e simpoziumit shkencor ndërkombëtar “Miniera dhe Arkeologjia”, organizator i të cilit është Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut Shtip.
Në praninë e miqve të shumtë, ministri i Kulturës Ismaili theksoi se mbajtja e kësaj ngjarjeje me një temë shumë specifike është e një rëndësie të veçantë për të zhvilluar mendimin shkencor arkeologjik në vendin tonë, por edhe për t’i shkëmbyer përvojat ndërkombëtare në këtë fushë, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ky simpozium është i pari në llojin e tij që i lidh njohuritë ndërmjet arkeologjisë dhe minierave si një degë e rëndësishme ekonomike.
“Jam i bindur që arkeologët vendorë dhe profesionistët e tjerë në ditët në vijim do të kenë një mundësi të shkëlqyeshme për t’i shkëmbyer njohuritë e reja, për të fituar përvoja të reja nga kolegët e tyre nga rajoni, por edhe nga Evropa, të cilët kanë punuar me dekada të tëra për t’i kërkuar dhe për t’i lidhur të dhënat shkencore nga arkeologjia me minierën dhe metalurgjinë”, tha ministri i Kulturës, Ismaili.
Në kuadër të simpoziumit shkencor u hap edhe ekspozita “Borov Doll 2011-2018”, e cila është rezultat i kërkimeve të deritanishme të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut Shtip në lokalitetet arkeologjike në këtë rajon në periudhën e kaluar, të kryera për nevojat e Minierës së Bakrit dhe Arit “Buçim” nga Radovishi.
Simpoziumi ndërkombëtar në fushën e arkeologjisë me temë “Miniera dhe Arkeologjia” mbahet nga 12 deri më 15 shtator, ndërsa marrin pjesë arkeologë dhe profesionistë të tjerë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Austria, Gjermania, Britania e Madhe.
Me respekt,
Ministria e Kulturës