Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka dekoruar me “Medaljen e Guximit” 8 pjesëtarë të Brigadës zjarrfikëse territoriale të Qytetit të Shkupit.
“Medalja e Guximit” iu nda për guximin dhe sakrificën e treguar të jashtëzakonshme gjatë kryerjes së detyrave në përballjen me stuhinë e zjarrtë gjatë zjarrit në Komunën e Kisella Vodës në Shkup, me ç’rast kontribuoi për nxjerrjen me kohë të banorëve të rrezikuar.
Në vigjilje të Ditës së Pavarësisë, 8 shtatori, theksoi presidenti Pendarovski, akti i tyre heroik është “një çast i bashkimit për të gjithë ne si qytetarë”, duke i uruar për profesionalizimin dhe sakrificën e jashtëzakonshme.
Presidenti Pendarovski në solemnitetin e sotëm dorëzoi edhe mirënjohjen “Karta e Republikës së Maqedonisë së Veriut” Brigadës zjarrfikëse territorial të Qytetit të Shkupit.
“Shpresoj se medaljet dhe karta do të jenë motiv shtesë për punën e mëtejshme me përkushtim dhe për veprimin profesional. Po ashtu besoj se e gjithë kjo do të jetë edhe një përkujtim për rëndësinë e brigadave zjarrfikëse dhe nevojën e investimit të vazhdueshëm në pajisje bashkëkohore dhe mjete moderne dhe mjete të domosdoshme për punën e tyre, si dhe nevojën për stërvitje dhe trajnime të zjarrfikësve. Sigurisht, kjo ka të bëjë për të gjithë brigadat zjarrfikëse në mbarë shtetin tonë”, theksoi Pendarovski.
Komandanti i Brigadës zjarrfikëse territoriale të Qytetit të Shkupit, Vladimir Simonovski, në emër të Brigadës dhe të gjithë kolegëve zjarrfikës shprehu falënderime ndaj presidentit Pendarovski për dekoratën “Medalja e Guximit”, dhe për mirënjohjen “Karta e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
“Brigada zjarrfikëse këtë vit u përball me intervenime serioze dhe të vështira në të cilat u përgjigjëm maksimalisht në mënyrë profesionale dhe me përkushtimin tonë ndaj punës nuk lejuam fatkeqësi dhe katastrofa më të mëdha”, tha Simonovski.
Zjarri që ndodhi në qershor të këtij viti në një ndërtesë shtatë katëshe në Komunën e Kisela Vodës u fik me kohë pa asnjë humbje në jetë njerëzish. Për shkak të problemeve serioze respiratore, në klinikën universitare për toksikologji u dërguan njëmbëdhjetë persona, prej të cilëve katër zjarrfikës./AA