Alsat 2019-08-23T16:14:27+02:00
Bie besimi i qytetarëve mbi punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Nga nota 1 deri 5 qytetarët e vlerësuan me 2,9 punën e institucionit ligjvënës për dallim nga viti 2017 kur mori notën 3,4 e cila ishte edhe më e larta deri më tani. Raporti i publikuar nga Instituti për Demokraci flet se 47% e qytetarëve mendojnë se deputetët nuk i përfaqësojnë aspak interesat e tyre, vetëm 5% e të anketuarve konsiderojnë se deputetët i përfaqësojnë plotësisht interesat e qytetarëve derisa 45% e të anketuarve tjerë konsiderojnë se ato i përfaqësojnë pjesërisht interesat e tyre.
Gjysma e qytetarëve të anketuar besojnë se deputetët nga njësitë e tyre zgjedhore nuk janë në dispozicion për takime (53%). Se deputetët janë të pa kapshëm për takime konsiderojnë 21% e të anketuarve, përqindje që është më e ulët nga vitet e mëparshme në të cilat është shqyrtuar e njëjta çështje”-thonë nga Instituti për Demokraci.
Anketa në terren e Institutit për Demokraci mbi Punën e Kuvendit poashtu ka shpalosur se më shumë se gjysma e qytetarëve apo 55% konsiderojnë se ligjet në Maqedoni po ndryshojnë shpesh ose shumë shpesh dhe se një e katërta e tyre janë krejtësisht të pakënaqur me cilësinë e ligjeve. Megjithatë, ndryshe nga viti 2018, pakënaqësia është për 7 pikë më e ulët. Poashtu raporti flet se qytetarët pajtohen me deklaratën se krizat politike duhet të zgjidhen në Kuvend dhe jo në takime të mbyllura.
Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (72%) pajtohen me deklaratën se krizat politike duhet të zgjidhen në Kuvend, në vend se në takime të mbyllura midis udhëheqësve të partive politike. Prej tyre, 50% pajtohen plotësisht, ndërsa 22% pajtohen pjesërisht me deklaratën. Gjithsej 21% e qytetarëve u përgjigjën se nuk pajtohen me deklaratën se Kuvendi është vendi për të zgjidhur krizat politike”-pohojnë nga Instituti për Demokraci.
59% e të anketuar konsiderojnë se me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së deputetëve, mund ë fitohet një përbërje më cilësore e Kuvendit ndërsa gjithsej 23% e qytetarëve nuk konsiderojnë se ndryshimi i modelit zgjedhor mund të kontribuojë në një përbërje më cilësore të Parlamentit.
Në anketë kanë marrë pjesë mbi 1000 qytetarë të moshës mbi 18 vjeç ndërsa e njejta është realizuar në periudhën kohore nga data 12 maj deri më 26 maj të këtij viti.
Vjollca Aliti
Loading…