Ishte një prej shpresave më të mëdha që i mbante qytetarët e Maqedonisë së Veriut për vendosjen e drejtësisë, ndërsa sot, emri i saj lidhet me ryshfet disa milionësh për të shpëtuar kriminelë nga burgu. Kjo është Katica Janeva, kryeprokurorja speciale e cila po ballafaqohet me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga qelia e burgut të Shkupit. Janeva prej mbrëmë është në burg, por deri dje ishte simbol i drejtësisë dhe rezistencës ndaj pushtetit të kaluar, shkruan SHENJA.
Kur në Maqedoninë e Veriut kriza politike kulminoi, e qytetarët u ndanë në përkrahës së pushtetit të VMRO-së dhe qytetarë që duan ta rrëzojnë atë, u emërua një prokurore speciale e cila do të ndiqte kriminelët nga radhët e funksionarëve që gjatë dhjetë viteve qeverisje kishin shpërdorur fuqinë dhe paratë e popullit. Emri i Katica Janevës u zgjodh me konsenzus nga të gjithë partitë politike të përfshira në bisedimet e “Përzhinos”. Fytyra dhe emri i Katica Janevës, së bashku edhe me bashkëpunëtorët e saj të ngushtë Fatime Fetai dhe Lençe Ristovska, u bënë simbol i drejtësisë, sidomos i të rinjëve që për një periudhë të gjatë protestonin kundër pushtetit të VMRO-së dhe BDI-së. I gjeje kudo. Nëpër bluza, nëpër pankarta, madje edhe nëpër koncerte. Tre prokuroret u bënë si yje të shoë bizit. Opinioni u thurrte elozhe dhe vazhdimisht i mbronte nga sulmet.
Menjëherë pasi Katica Janeva e formoi ekipin e saj të prokurorëve filloi me hetimet e para që rastësisht fillon që të gjitha me shkronjën T. Lënda e parë simbolikisht u emëruar “Titanik” dhe përfshinte të akuzuar që ishin kryesisht kreu i VMRO DPMNE-së. Akuzoheshin për manipulime masive zgjedhore. Pastaj u publikua edhe rasti “Dhuna në Qendër”, “Fortesa”, “Transportuesi”, “TNT”, “Thesari”, “Toplik”, “Talir” dhe disa lëndë të tjera, por edhe pse në fillim dukej vullneti për të zbardhur rastet e nisura, dalë ngadalë edhe këto raste nisën të bllokohen nëpër labirinthet gjyqësore.
Qytetarët nisën të shprehin haptazi dëshpërimin nga dështimi i hetimeve pasi asnjë funksionar i lartë i ish pushtetit nuk shkoi në burg, me përjashtim të Mile Janakieskit. Paknaqësia rritej edhe me një sërë vendimesh kontroverse gjatë procedurave hetimore të PSP-së para të cilave shpesh opinioni mbyllte sytë për hirë të një të ardhmeje me drejtësi. Askush nuk e kishte paramenduar se njeriu i cili gjatë betimit ishte zotuar për të shkëputur krimin, do bëhej vetë pjesë e atij zinxhiri.
Dyshimet e opinionit për veprimet e Katica Janevës kulminuan me rastin “Perandoria” kur në PSP gjoja se kishte patur përmbytje dhe provat ishin shkatërruar. Por edhe kur Janeva dha leje që Orce Kamçev të shkojë në burg shtëpiak, dhe që Kamçevit ti kthehet pasaporta përkohësisht.
Janeva megjithatë ishte e bindur në suksesin e saj dhe madje paralajmëronte se do të kandidojë edhe për një mandat tjetër në PSP, por në ditën e njëjtë kur u arrestua Boki 13 së bashku me bashkëpunëtorin e tij Zoran Milevski i njohur si Kiçeec, ajo dha dorëheqje. Arsyetimi për dorëheqjen ishte se nuk dëshironte të bëhej pengesë e bisedimeve mes pushtetit dhe opozitës për ligjin për Prokurori Publike. Pas këtij njotimi me shkrim nuk u pa për disa ditë, derisa emri i saj nisi të lidhet me “Zhvatjen” me shumë intensitet. Nëpërmjet ueb faqes së PSP-së, lëshonte demante ndaj informatave ditore, por nuk paraqitej para kamerave dhe gazetarëve. Pas tetë ditë ikje, doli por nuk lejoi pyetje të gazetarëve. Lëshoi akuza në adresë të funksionarëve të panjohur që tha se qëllimisht po ia bëjnë këtë gropë shkaku i hetimeve të reja që i ka gati. Siguronte se emri i saj është keqpëdorur.
Janeva pas kësaj konference shkoi në pushim veror, ndërsa u kthye kur tashmë “bombat” e gazetës italiane “La Verita” kishin arritur kulmin. Ajo dëgjohej në dy biseda me Kamçevin derisa thurrnin planin për ta shpëtuar atë nga burgu. Janeva nuk e mohoi që zëri është i saj, por u arsyetua se ka dashur ta bëjë Kamçevin dëshmitar në një rast që ishte duke e hetuar.
Roli i vërtetë i Katica Janevës në rastin “Zhvatja” do të kuptohet pas disa mujash, kur do të ketë gjykim publik.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
https://www.youtube.com/watch?v=dYGBPDJN8SU