Pavarësisht se partitë politike kanë edhe vetëm një javë kohë për t’i shoshitur mosmarrëveshjet lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike, pasi që seanca Parlamentare është caktuar për më 27 gusht, bisedimet kanë ngelur në vendnumëro. Pushteti dhe opozita gjatë kësaj periudhe të pushimit veror nuk kanë patur takime dhe nuk ka as paralajmërim për ndonjë takim më të shpejtë. Propozim ligji ishte dorëzuar në Parlament para pushimeve verore, dhe mbante flamurin evropian, që e pamundëson bllokimin e tij nëpërmjet procedurave, por shumë vështirë që të arrihet marrëveshje dhe të grumbullohen 80 vota deputetësh.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska në një intervistë për gazetën “Nezavisen” ka thënë se Katica Janeva nuk është pengesë për bisedimet dhe marrëveshjen eventuale, por e la të hapur mundësinë që të mos arrijnë të merren vesh me opozitën.
Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë
“Pengesë në negociatat me opozitën aspak nuk është Katica Janeva, sepse mandati i saj skadon më 15 shtator. Nëse arrijmë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për ligjin për prokurori apo nuk arrijmë të sigurojmë dy të tretat e votave në Kuvend, do të shqyrtojmë mundësi të tjera se si të vazhdohet ‘lufta’”
Edhe pse pritej që grupet e punës të përbëra nga pushteti dhe opozita të vazhdojnë negociaat gjatë fillimit të kësaj jave, duket se janë larg takimit. Mbledhja e tyre e fundit u mbaj në korrik dhe prej atëherë pozicionet e të dy palëve janë të njëjtat, pushteti nuk lejon amnisti të fshehtë të kriminalitetit të pushtetit të kaluar, ndërsa opozita nuk lejon emërimin e Katica Janevës dhe vazhdimin me punë të PSP-së sikurse deri më tani, duke përdorur edhe “Bombat” por edhe duke ngritur akuza edhe për lëndët që janë hapur pas qershorit të vitit 2017.
Nëse ndodhë që pushteti të lëshojë pe në këtë segment, një sërë lëndësh që janë hapur së fundmi do të bien në ujë, dhe shumë funksionarë të lartë të pushtetit të kaluar dhe aktual, do të shpëtojnë nga përndjekja. Një prej kërkesave të opozitës është edhe që prokurorja Villma Ruskovska të mos jetë në krye të repartit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit që do të formohet me shuarjen e PSP-së. Ata nuk e pranojnë as Katica Janevën, dhe kjo bindje është forcuar edhe më shumë pas publikimit të skandalit me “Zhvatjen” ku dolën dyshime për përfshirje të saj në aferën e ryshfetit për lehtësim të procedurave penale të PSP-së.
Për miratimin e ligjit në Kuvend nevojiten dy të tretat e shumicës së votave të deputetëve, apo gjithësej 80 vota.
Ligji është tejet i rëndësishëm për pasqyrën e Maqedonisë së Veriut tek organet e BE-së të cilët në tetor do të duhet të shpalosin vendimin nëse do t’i japin datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.
https://www.youtube.com/watch?v=YR2VyoXyGE8