Finlanda si kryesuese aktuale me BE-në jep mbështetje për fillim të negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe presim që kjo të ndodhë në tetor, lajmëroi sot ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Tuti Tupurainen në konferencën e përbashkët për shtyp në Helsinki me zëvendëskryeministrin e angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani.
“Jemi optimistë se nëse përmbushet agjenda, në tetor do të sillet vendimi për fillim të negociatave. Konsiderojmë se nuk ka arsye për shtyrje të mëtutjeshme”, tha Tupurainen.
E pyetur nëse rasti aktual “Reket” mund të ndikojë në vendimin, ajo u përgjigj se nuk do të duhej, por se veprimi rreth tij është test për shtetin.
“Ky rast është test për shtetin juridik dhe sundimin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut. Raporti i fundit i KE-së tregoi se ka progres në këtë sferë dhe kjo tani duhet të tregohet në vepër. Presim hetim objektiv dhe askush të mos lihet mbi ligjin”, porositi Tupurainen.
Zëvendëskryeministri Osmani, nga ana e tij, theksoi se vendi është i përkushtuar në integrimin në BE dhe në NATO dhe se kurfarë sfide nuk do ta ndryshojë atë.
Ai i shprehi falënderim Finlandës për mbështetjen për integrimin në BE dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor të këtij viti.
Osmani potencoi edhe se shtyrja e ndarjes së datës për fillim të negociatave për antarësim të vendit në BE në qershor, ishte për shkaqe teknike dhe theksoi se pret që në tetor Këshilli evropian të sjellë vendim për fillim të negociatave.
Sipas tij, marrja e datës gjatë kryesimit të tanishëm finlandez me BE-në do të kishte edhe simbolikë, duke pasur parasysh se rekomandimi i parë për fillim të negociatave për anëtarësim të vendit në Union, Komisioni evropian e dha gjatë kryesimit paraprak të Finlandës me Unionin.
Osmani theksoi se edhe përkundër raportit të fundit të Komisionit evropian, të cilin e vlerësoi si më të volitshmin deri më tani, Maqedonia e Veriut nuk guxon të lejojë as shkaqe më të vogla, të cilat për ndonjë anëtare të BE-së do të ishin shkas për kërkesë të shtyrjes së dhënies së datës. Prandaj, potencoi Osmani, punojmë me të gjitha vendet anëtare të BE-së për të evituar një mundësi të tillë.