Muhamed ISMAILI
Sitel, Kanal5, Kurir, Republika… me titull shpresëdhënës: “Ахмети во петок на средба со Коѕиас”. Pas vizitës së parë të Ahmetit me shokë që i bëri Athinës në shtator 2013, kur bashkë me Venizelos deklaruan se miqësisht kishin biseduar për fqinjësi të mirë dhe zgjidhje të kontestit të emrit të vendit tonë, duket se edhe me Koxias tema është e njejtë.
Disa ditë para vizitës së eurokomisionerit Johanes Han në Shkup, disa ditë para dorëheqjes së Nikolla Gruevskit nga pozita e kryeministrit që e mbante tanimë gati dhjetë vite, pas dështimit total të proceseve që do bënin Maqedoninë “shtëpi” edhe të shqiptarëve, të lirë e të barabartë me maqedonasit,.. në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat BDI po ballafaqohet me një refuzim të ashpër nga tërë populli shqiptar, por edhe nga vetë strukturat e saj,.. cili do ishte misioni i Ahmetit në Athinë?
Zgjidhja e kontestit të emrit dhe me këtë debllokim i proceseve integruese? Shpëtim i Gruevskit nga antagonizmi grek pas antikvizimit të plotë të vendit, apo shpëtim i vetes duke tentuar të “pleqnojë” konfliktin maqedono-grek dhe të “mbulojë” konfliktin shqiptaro-maqedon brenda vendit? Dashakeqët sapo dëgjojnë përbërjen e “ekipit” të Ahmetit, dyshojnë se vizita mund të jetë në lidhje me rastin “Telekom”.
Cili është qëndrimi i BDI-së vis-a-vis konfliktit maqedono-grek për emrin?
Pas kyçjes së përfaqësuesit të BDI-së në negociatat nën ndërmjetsimin e Nimicit, por edhe para kësaj, kjo parti hapur është shprehur se “për shqiptarët e Maqedonisë është i pranueshëm çfardo emri (për të cilin do binin dakord dy palët) por që nuk do përmbante në vete elementin sllav”. Që i bie se për ne, shqiptarët këtu, është OK nëse do quhej “Maqedonia e epërme”, “Maqedonia veriore”…(disa nga emrat e përfolur në negociata). Me këtë, ne shqiptarët në kuptimin e shtetësisë do të vuloseshim si “maqedonoverior” ose “maqedonas të epërm”. Kjo do qëndronte në pasaportat tona, por edhe në çdo paraqitje tonën jashtë vendit në evenimente të ndryshme ndërkombëtare. Dmth, pas një marrëveshje eventuale, gjithkund ku tani paraqitemi si përfaqësues të IRJM-së, nën siglën “FYROM”, tanimë përgjithmonë do të asimiloheshim në maqedonë të epërm, verior etj.
Nëse emri i një shteti përfaqëson dhe prezenton vendin dhe njerëzit që jetojnë në të, kjo nuk është një zgjidhje që ne duhet ta pranojmë. Emri i shtetit dhe nëpërmjet tij edhe i shtetësisë sime, sikur edhe flamuri, stema, himni i tij, duhet të më përfaqësojnë edhe mua, si shqiptarë që jam. Un nuk kam dilema rreth identitetit tim. Ato duhet të jenë gjithëpërfshirës dhe inkluziv, dhe assesi përjashtues për ne shqiptarët. Pas tentimit për t’a kaluar luanin si stemë të shtetit, nuk dua të besoj se do tentohet nga ana e partisë shqiptare në pushtet të na “shitet” edhe ideja se emri “maqedonas” na përfaqëson edhe neve shqiptarëve. Ky do ishte epitafi i saj politik.
Ndërkohë prokuroria speciale ka filluar procesuimin e lëndëve nga “bombat”. Do doja të fillojë nga prokuroria e “rëndomtë” dhe të vazhdojë me të gjithë që trajtuan shtetin si pronë private të tyre. Kjo dë të ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurtë për debllokimin e të gjitha proceseve të vendit tim.