Burime qeveritare kanë demantuar informacionin e plasuar para disa ditëve se Arif Asani është emëruar zv.drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.
“Bëhet fjalë për lajm të rrejshëm. Arif Asani nuk ka kaluar në qeveri si zëvendës drejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare”, kanë deklaruar burime qeveritare për Gazetën Lajm.
Ndryshe ASK-ja e re nisi veprimtarinë e bartjes, me kritika për shkak të nisjes së procesit tranzitor pa kaluar më parë aktin e sistematizimit në qeveri. Ndërkaq, siç mëson ALSAT, ende kriteri bazë për verifikimet e sigurisë mbetet pezull. I vetmi institucion që i bën këto verifikime sigurie është vetë DSK-ja e deridjeshme, ndërkohë që një gjë e tillë nxit mëdyshje për vërtetësinë e punonjësve që do të kalojnë filtrat në përzgjedhjen finale. Nga ana tjetër, çështja e dyshtetësisë, e lidhjes partiake dhe biznesore etj., mbeten kritere bazë për punësimin në agjencinë e re. Punonjësit kanë nënshkruar akte pajtimi me të cilat pajtohen t’i nënshtrohen edhe poligrafit, por edhe një sërë verifikimesh, si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, Policia Financiare, Drejtoria e Zbulimit Financiar dhe Financimit të Terrorizmit, Kundërzbulimi Ushtarak, Agjencia e Inteligjencës etj. Procesi pritet të marrë më shumë kohë se sa duhet, edhe pse data 1 shtator është shpallur si data e nisjes zyrtare me punë të kësaj Agjencie. Nga përzgjedhja, nga mbi 650 të punësuar, pritet që shifra finale të jetë diku 350.