https://www.youtube.com/watch?v=2BaFl3KNfek
Riformatimi i Qeverisë vazhdon hapin e radhës, javën e ardhshme do të bëhet ndërrimi i zëvendës ministrave dhe drejtorëve të institucioneve. Kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës së sotme në Stobi, duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarëve se deri ku ka arritur riformatimi, tha se pret që i gjithë ky proces të përfundojë deri në fund të muajit korrik.
Zoran Zaev, kryeministër
“Bëhet fjalë për më shumë se 20 poste drejtorësh në nivel qendror. Sigurisht më shumë se 30 poste në nivel lokal. Ka zyra rajonale, zëvendësit, ato tashmë janë vende të zbrazëta, që duhet të përfundojnë në këtë periudhë të korrikut. Javën e ardhshme veçmë do të shkojmë me hapin e rradhës.”
Ai theksoi se me ndërrimin e zëvendës ministrave dhe postet e drejtorëve në njësitë rajonale në shtet, do të përfundojë i gjithë procesi i riformatimit. Shkarkimi i drejtorëve dhe emërimi i funksionarëve të rinj në eshalonin e tretë të pushtetit ekzekutiv vjen si pjesë e reformimit qeveritar të paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. E ashtuquajtura “fshesa” e cila më pas u zëvendësua me fjalën rikonstruim, fillimisht preku funksionarët e eshalonit të parë, gjegjësisht ministrat. Ajnur Bafqari /SHENJA/