“Në praninë e një numri të madh mysafirësh dhe vizitorësh, sot në Muzeun Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut është hapur ekspozita „Stepa e madhe: historia dhe kultura“, e cila realizohet në kuadër të projektit „Udhëtimi i Njeriut të Artë nëpër muzetë në botë“.
Ekspozitën e shpalli të hapur ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili theksoi se ekspozita e Muzeut Kombëtar të Republikës së Kazakistanit, nga Nur Sulltan, do të na e afrojë vendin i cili e jeton të tanishmen e vet civilizuese mbi themelet e së kaluarës së vet të pasur.
– Para nesh janë artefaktet që na i ilustrojnë sekuencat historike të trashëgimisë kulturore të Kazakistanit dhe të cilat njëkohësisht janë konfirmim i kultivimit të aspektit multikulturor dhe multifetar të qytetarëve që kanë jetuar dhe që jetojnë në territorin e këtij vendi. Thonë se Kazakistani është vendi i cili e bashkon Evropën dhe Azinë. Historia, kultura dhe trashëgimia e tij kulturore sot janë prezantuar nëpërmjet sendeve të rralla ekskluzive, si: stolitë, pajisja ushtarake, punimet tradicionale me dorë, të cilat flasin për vlerën historike të këtij vendi dhe identitetin e tij kulturor. Artefakt mjaft i vlefshëm dhe i rëndësishëm i kësaj ekspozite është simboli i trashëgimisë kulturore të Kazakistanit – Njeriu i Artë ose Tutankamoni i Kazakistanit nga shekulli i 5 para erës sonë, i identifikuar si ushtari i popullit Saka – tha Ismaili.
Ai shtoi se kjo ekspozitë, e cila udhëton nëpër muzetë në botë është një mundësi e shkëlqyer që publiku i Maqedonisë të njoftohet me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Kazakistanit të cilat janë konfirmim i diversitetit dhe unikes së kulturës së Kazakistanit.
Ekspozita „Stepa e madhe: historia dhe kultura“ për vizitorët do të jetë e hapur deri më 11 gusht” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.