Pas një viti qeverisjeje, pa kurrfarë hezitimi mund të thuhet se Qeveria e Mustafës ishte vazhdimësi e keqqeverisjes së kaluar, madje shumëfish më e rëndë kur në udhëheqje të institucioneve të vendit janë dy subjektet që janë përgjegjëse për degradimin 16 vjeçar të vendit.
Viti 2016 Kosovën e gjeti me probleme të mëdha pothuajse në secilin drejtim. Nga varfëria ekstreme e qytetarëve tanë, në papunësi të lartë, me kapje dhe mungesë të drejtësisë, sundim të “të fortëve”, me arsim e shëndetësi të dobët, me klientelizëm të gjithçkaje (vetëm tash së fundi të Gjykatës Kushtetuese, AKP, ARKEP, ZRrE), me thellim të krimit të organizuar e korrupsionit (si pasojë qytetarët tanë mbetën të izoluar). Ndërkohë me gjithë këto probleme, një grup të njerëzve janë tejet të pasur. Ata janë pushtetarët që bashkë me disa prej familjarëve të tyre u pasuruan në kurriz të qytetarëve të varfër dhe që asnjëri prej tyre nuk mund të justifikojnë pasuritë i kanë.
Me të drejtë thuhet se trinomi PDK-LDK- LS, është qeveri e Gjykatës Speciale e cila e njollos përpjekjen çlirimtare të popullit shqiptar dhe ka krijuar sistem paralel të drejtësisë, qeveri e faljes së territorit Malit të Zi dhe qeveri e bosnjëzimit të Kosovës me marrëveshjen e 25 gushtit.
Mjafton ta shohësh të ashtuquajturin “programi për dialog i Brukselit” një dokument vetëm 16 faqësh, për të kuptuar mendësinë e mbrapshtë dhe rrugën e dëmshme që po e synon kjo Qeveri nëpërmjet negociatave pa kushte dhe pa parime.
Pavarësisht rrënimit të sovranitetit pas koncesioneve me Serbinë, Qeveria si duket nuk e ka në mendje të ndryshojë kursin.
Në këtë “programin për dialog i Brukselit” flitet se si kinse këto negociata do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë, në shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, në ndërprerjen e ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë dhe se si ne përmes këtyre negociatave e paskemi konsoliduar sovranitetin territorial në gjithë vendi. Ku po jetojnë këta njerëz?
Sot secili qytetar i Republikës e ka kuptuar se këto negociata i kanë sjellë vetëm dëm Kosovës.
Isa Mustafa i cili deklaronte se për marrëveshjet me Serbinë duhet bërë referendum po vazhdon në përpikëri modelin famëkeq të Hashim Thaçit. Ky i fundit së bashku me Edita Tahirin para 5 viteve provuan të na mashtronin që kinse ky do të jetë një dialog teknik dhe se nuk do të flitet për çështje politike dhe nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Pas gjithë këtij procesi, Serbia, nëpërmjet Kosovës, është afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërsa Kosova e mori një MSA që ndryshe nga të tjerët, padrejtësisht është lidhur me negociatat me Serbinë dhe nuk e konsideron Kosovën shtet të pavarur.
Me këtë kurs negociatash, Kosova do ta ketë të vështirë, pothuajse të pamundur anëtarësimin, pasi që Bashkimi Evropian nuk e do një shtet të pazhvilluar dhe jo funskional dhe shembulli konkret për këtë është Bosnja.
Dialogu me Serbinë është përcjellë me një mungesë të transparencës, pa gjithëpërfshirje, pa strategji dhe kushte paraprake, pa qasje serioze, madje zyrtarët që merrnin pjesë në Bruksel e konsideronin këtë proces si ekskursion në të cilin bënin edhe shopping.
Me një fjalë, ky proces u bë rrënim për Republikën dhe zhvatje e buxhetit. Me njerëz të korruptuar e që pastaj ndihen inferiorë dhe servil karshi Brukselit nuk pritet rezultat tjetër.
Përveç koncesioneve të tjera, shumë prej tyre që nuk dihen ende, u falën strukturat paralele e kriminale të Serbisë, pikërisht ata që për vite me rradhë kanë terrorizuar qytetarët tanë atje, dogjën pikat kufitare, rrahën shumë qytetarë dhe që mbahen përgjegjës për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe SelverHaradinajt.
Poashtu nga këto negociata u krijua fondi paralel për veriun, në shpërputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, poashtu u krijua Gjykata e Apelit në shpërputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjykatat si dhe me ngulm po tentohet të jetësohet instrumenti i Serbisë në Kosovë siçështë “Zajednica”, ani pse Gjykata Kushtetuese tha se kjo marrëveshje i shkelë plot 23 nene të Kushtetutës. Isës dhe Hashimit nuk po ia ndjen.
16 vite të pasluftës ne nuk mund të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial sepse këtë nuk po e lejon Serbia dhe Qeveria e Mustafës qëndron e heshtur.
Në mandatin e kaluar, pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka qenë edhe partia serbe SLS. Karshi shtetit dhe Republikës e njëjta ka qenë më liberale. Ndërsa sot si pasojë e negociatave, e kemi Listën Serbe e cila nuk përfaqëson interesat e serbëve që janë qytetarë të Kosovës por përfaqëson politikën hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, sepse është krijuar dhe dirigjohet direkt nga Beogradi. Madje kur pyeten zyrtarët e këtij subjekti se a do të votoni për transformimin e FSK në Forca të Armatosura, ata thonë se “Kosova nuk ka nevojë për ushtri” dhe se “për këtë pyetet Beogradi”.
-Për çfarë shtrirje të sovranitetin po flasin Mustafa e Thaçi kur zyrtarë të Qeverisë sikurse ishte Ministri Hoti pengohen nga 5 qytetarë për të vizituar Jarinjën? Madje komandanti i policisë i sugjeron që të kthehet sepse nuk munden t’i ofrojnë siguri. Ku fshihej Skënder Hyseni atë ditë? Po Isa Mustafa?
-Për çfarë shtrirje të sovranitetit po flasin këta njerëz kur shqiptarët atje terrorizohen përditë, madje rrihen brutalisht dhe arrestohen vetëm pse po ndërtojnë shtëpitë e tyre atje?
-Për çfarë normalizim të raporteve po flasin këta kur Serbia në mënyrën më të egër po e lufton shtetin e Kosovës, madje e krahason me terroristët e ISIS-it?
-Për çfarë integrimi po flasin kur strukturat atje i binden vetëm Beogradit?
Andaj edhe duhet të thuhet se i gjithë ky proces negociator ishte rregullim i raporteve personale të Thaçit me Daçiqin dhe Mustafës me Vuçiqin apo të katërve së bashku.
Opozita e bashkuar, deputetët përbrenda koalicionit, qytetarët e Republikës duhet t’i japin fund këtij mjerimi. Është koha e fundit për të forcuar shtetin dhe Republikën. Është koha e fundit kur duhet të përpiqemi për një shtet që është shprehje e vullnetit publik demokratik. Është koha e fundit kur duhet ta detyrojmë këtë Qeveri të largohet. Më 9 janar do ta marrin përgjigjen e duhur. Nëse nuk dorëhiqet, do të hiqet!