“Marrëveshja e Shkupit garanton, me firmën e katër liderëve dhe prezencën e ndërkombëtarëve, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët ku përfshihen marrëdhëniet edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, çështjen e emrit dhe memorandumin me Bullgarinë për fqinjësi të mirë si dhe integrimin euro-atlantik. Pa shqiptarët, Marrëveshja nuk bëhej…”, thotë mes tjerash Ahmeti.
Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti, në intervistën ekskluzive për numrin e Vitit të Ri të gazetës KOHA, flet për gjenezën e krizës politike që ka mbërthyer vendin, obligimet e Marrëveshjes së qershorit-korrikut që duhet përfunduar, ndër- sa thekson se nuk ka nevojë për shtyrjen e datës së paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kreu i integristëve thotë se vizita e eurokomesarit Han është e mirëpritur dhe pret që të konfirmohet angazhimi i të gjitha palëve për zgjedhje të drejta, fer dhe demokratike më 24 prill. Ahmeti më tej thekson se nga Marrëveshja e qershorit-korrikut doli obligimi për shqyrtimin e implementimit të MO-së, instalimi i parimit të Badenterit në Prokuroinë speciale dhe në KSHZ. Duke folur për integrimin në NATO si një nga premtimet e tij, Ahmeti ripërsërit qëndrimin se krizat në Ukrainë, Siri dhe ajo me refugjatët, kanë zhvendosur funksion e diplomacisë ndërkombëtare nga zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë.
KOHA: Z. Ahmeti, nga mesi i janarit eurokomesari Johanes Han vjen në Shkup për të inspektuar Marrëveshjen e qershorit- korrikut. Është e dukshme që ka ngecje dhe shkelje të afateve. Kush sipas jush nuk i respekton këto afate dhe ç’ka pritni nga kjo vizitë?
AHMETI: Që nga përfundimi i zgjedhjeve të 27 prillit 2014, vendi gjen- det në krizë për arsye të bojkotit të opozitës maqedonase dhe mosnjohjes së zgjedhjeve. Kjo krizë u thellua akoma më tepër me zbulimin e bisedave të përgjuara duke e për- shkuar kështu gjithë mandatin tonë me vështirësi të jashtëzakonshme. Kriza gjeti fillimin e zgjidhjes në Marrëveshjen e Shkupit, e cila u lehtësua nga komuniteti ndërkombëtar dhe qysh nga fillimi i zbatimit tash- më kemi Ligj për Prokurorinë Speciale të miratuar me shumicë të dyfishtë, Prokurorja speciale u zgjodh bashkë me ndihmësit e saj, nga të cilët 4 janë shqiptar, kemi Kod të ri zgjedhor dhe përbërje të re të KSHZ-së, ku është rritur përqindja e shqiptarëve, ministra dhe zëvendës- ministra të ri nga opozita, ligje të reja për Qeverinë, bombat dhe denoncuesit. Këto ishin shtyllat kryesore të Marrëveshjes dhe tashmë kanë gjetur zbatim me ca vonesa relevante kur kemi parasysh se sa komplekse është situata në vend. Sa i përket çështjes së mediave, funksionimi i pushtetit të katërt në kohë zgjedhjesh është i rregulluar me Kodin e ri zgjedhor dhe nuk paraqet ndonjë problem të madh. Në këto rrethana, vizita e komisionerit Han është e mirëpritur si gjithnjë, sepse kontributi i tij në drejtim të zgjidhjes së krizës është i madh dhe pres që të konfirmohet angazhimi i të gjitha palëve për zgjedhje të drejta, fer dhe demokratike më 24 prill.
KOHA: LSDM është e pakënaqur nga dinamika e Marrëveshjes dhe kërcënon me mospjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa kohë pas kohe thumbon edhe partinë tuaj. A mund të na thoni ku qëndron buri- mi i këtij “revanshizmi” nga ish partneri i dikurshëm dhe sa real është ky kërcënim i opozitës maqedonase?
AHMETI: Marrëveshja është kompromis nga i cili të gjitha palët janë ndarë të pakënaqura dhe kjo e bën atë të drejtë. Reformat sistemore që rrjedhin nga kjo Marrëveshje e bëjnë shtetin më të përafërt me standardet evropiane, sepse rrjedhin nga kapitulli 23 dhe 24 i negociatave për anëtarësim në BE. Obligimet e Marrëveshjes janë bërë pjesë e planit aksional të Qeverisë dhe ky plan do shumë kohë për t’u zbatuar dhe ky proces nuk do të përfundoj më 24 prill, por do të jetë obligim edhe i Qeverisë së ardhshme. Sa i përket revanshizmit dhe kërcënimeve, nuk kam dëgjuar një gjë të atillë, por BDI bën politikë autonome në interes të të gjithë qytetarëve dhe veprimet tona kanë qenë në interes të shtetit dhe shoqërisë, e jo të partisë.
KOHA: A ka gjasa te shtyhen zgjedhjet pasi ketë po e kërkon lideri i opozitës?
AHMETI: Vendi gjendet në krizën më të thel- lë politike që nga pavarësia. Nga kjo krizë po vuajnë qytetarët, bizneset, ekonomia dhe të gjitha segmentet e tjera të shoqërisë. Për ta tejkaluar këtë situatë kaq të rëndë dhe të ndërlikuar, nevojitet një proces zgjedhor me pjesë- marrjen e të gjitha palëve dhe kontribut të sinqertë për mbarëvajtjen e procesit. Data e 24 prillit është datë konsensuale me pajtimin e katër liderëve dhe në prezencë të komunitetit ndërkombëtar. Në takimet e liderëve, shtyrja e zgjedhjeve nuk është diskutuar dhe nuk shoh ndonjë arsye të veçantë që të vazhdohet dhe të thellohet kriza duke shty zgjedhjet, përkundrazi, të gjitha palët duhet të angazhohen për përmbyllje sa më të shpejtë të krizës dhe mbajtjes së zgjedhjeve në kohën e paracaktuar nga të gjithë njëzëri.
KOHA: Zërat kritik thonë se prezenca e partive shqiptare ishte vetëm si dekor në arrit- jen e Marrëveshjes së qershorit-korrikut. A mund të shpjegoni për lexuesit së çfarë në të vërtetë fituan shqiptaret?
AHMETI: Nihilizmi që po shfaqet në rritje tek një pjesë e kontribuuesve të ndërtimit të opinionit po merr përmasa shqetësuese, ngaqë nuk bazo- het në asnjë analizë ose hulumtim të qëndrueshëm në të cilin do të bazoheshin këto spekulime. Ne po flasim për krizën më të thellë politike të vendit që nga pavarësia e që suspendoi funksionimit e mirëfilltë të shtetit që nga dita e parë pas zgjedhjeve në 2014. Ky funksionim ka prekur sa shqiptarët, po aq maqedonasit dhe të tjerët. Negociatat që po vijojnë do ta reformojnë gjyqësorin, institucionet kontrolluese, mediat, etj, dhe çdo gjë po bëhet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Si atëherë nuk përfitojnë shqiptarët nga pavarësia më e theksuar e gjyqësorit, prokurorisë, agjencionit antikorrupsion dhe institucioneve të tjera. Marrëveshja e Shkupit garanton, me firmën e katër liderëve dhe prezencën e ndërkombëtarëve, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët ku përfshihen marrëdhëniet edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, çështjen e emrit dhe memorandumin me Bulgarinë për fqinjësi të mirë si dhe integrimin euroatlantik. Pa shqiptarët, Marrëveshja nuk bëhej, ndër- sa në negociata, nga zgjidhjet e arritura përfitojnë të gjithë sepse rikthe- het stabiliteti, siguria dhe normaliteti në shtet. Ndryshe, Ligji për Prokurori Speciale u miratua me Badenter, Prokurorja Speciale u zgjodh me Badenter, Prokurorët tjerë u zgjodhën me Badenter, ku nga 12 prokurorë, 4 janë shqiptar. Në KSHZ, numri i shqiptarëve u rrit në 33%, ndërsa vendimmarrja përjashton margjinalizimin, sepse tashmë vetëm shqiptarët mund të kon- testojnë vendime politike me prirje etnike në KSHZ, pastaj u parandalua regjistrimi aktiv që rrezikonte të lë me dhjetëra mijëra shqiptar jashtë regjistrit të votuesve, po realizohet analiza e Marrëveshjes së Ohrit, etj.
KOHA: Çfarë ju rezulton nga konkluzionet e shqyrtimit te Marrëveshjes së Ohrit. Ku duhet intervenuar, përmendet avancimi sa i përket përdorimit të gjuhës, ndarja e buxhetit, decentralizimi…?
AHMETI: Raporti i progresit i Komisionit Evropian, Konkluzat e Qeverisë, Dialogu i Lartë Paraqasës dhe Plani aksional si rezultat i Marrëveshjes së Shkupit e parashohin analizën e Marrëveshjes së Ohrit e cila përfshiu Sekretariatin në bashkëpunim me Institutin Evropian të Paqes dhe OSBE-në. Procesi u zhvillua disa muaj me radhë me përfshirjen e të gjitha institucioneve, shoqërisë civile, opinion- bërësve, pushtetit lokal dhe botës akademike. Grupet e punës kanë propozuar draft rekomandime të cilat duhet të diskutohen më tej nga partitë politike dhe Qeveria. Marrëveshja e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike mbesin shtylla e stabilitetit të brendshëm të vendit, por njëkohësisht edhe aset për t’i shtyrë proceset përpara.
KOHA: Në cilat shtylla do të bazohet platforma e BDI-së në zgjedhjet e prillit. Me çfarë oferte do te dilni para votuesve?
AHMETI: Për këto zgjedhje BDI ka avancuar qasjen në përpilimin e programit zgjedhor dhe ofertës sonë. Ne kemi filluar proces të përfshirjes së grupeve të interesit në draftimin e programit në të gjitha sferat dhe përveç përfshirjes së kontributeve të tyre, në pro- gramin tonë që më vonë do të bëhen edhe pjesë e programit qeverisës, ne kemi ofruar përfshirjen e këtyre grupeve të interesit edhe në zbatimin e këtij programi në nivele të ndryshme të qeverisjes. Kjo do të thotë që programi do të jetë refleksion i kontributeve të grupeve të interesit si dhe zbatimi do të jetë i përbashkët.
KOHA: Z. Ahmeti, në Kërçovë deklaruat se integrimi i Maqedonisë në NATO ka dështuar për shkak të krizës në Ukrainë dhe Siri. A nuk ishte pikërisht interesi i Perëndimit ai që edhe përskaj këtyre krizave ftoi Malin e Zi sivjet për anëtarësim?
AHMETI: Deklarova që realizimi i mandatit të fuqishëm të cilin na e dhanë qytetarët u vështirësua nga bojkoti i opozitës, zbulimi i përgjimeve, kriza politike në vend, por edhe nga vatrat e krizave globale, përfshi edhe ato në Ukrainë dhe Siri si dhe kriza ma refugjatët, sepse ato shmangën interesin intensiv të komunitetit ndërkombëtar për ta vijuar angazhimin e tyre në Maqedoni në drejtim të mbylljes së çështjeve të hapura me Greqinë dhe Bulgarinë.
Ne e përshëndetëm ftesën e NATO-s për Malin e Zi dhe ky është hap shumë i rëndësishëm për rajonin tonë, por mos harroni se Maqedonia ka pranuar po të njëjtën ftesë nga NATO-ja qysh në vitin 2008, por ajo ftesë është e kushtëzuar me zgjidhjen e çështjes së emrit dhe këtu dallojnë rastet tona. Vendimi i Bukureshtit është i prerë dhe sapo ta zgjidhim çështjen e emrit me Greqinë, ftesa me automatizëm aktivizohet. Ne gjithsesi që ndërmarrim përgjegjësinë për ngecjet në zbatim të politikave të caktuara, pa marrë parasysh rrethanat e vështira dhe krizën politike, por njëkohësisht dhe zotohemi për përmirësim dhe avancim të qasjes sonë në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve.
KOHA: Dihet tani më botërisht se kompromisi për emrin është problemi i mosanëtarësimit në NATO. Se fundmi ka lëvizje mes dy vendeve, a mund pas zgjedhjeve definitivisht të presim një zgjidhje kompromisi me Greqinë?
AHMETI: Në qershor të këtij viti takova Ministrin e Jashtëm grek Koxias, me të cilin zhvillova një bisedë shumë të hapur dhe konstruktive. Mënyra e të menduarit e z. Koxias dhe qeverisë së re greke japin mundësi për intensifikimin të kontakteve dhe përpjekjeve për ta tejkaluar këtë kontest nëpërmjet të një debati konstruktiv. Për ne, anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet të tejkalimit të çështjeve të hapura, prandaj dhe kjo do të mbetet sfida më e rëndësishme e qeverisë së re, por komuniteti ndërkombëtar duhet të kyçet në këtë proces në mënyrë më të drejtpërdrejt dhe ne jemi partner të forcave që duan ta tejkalojnë këtë pengesë, ndërsa kontributi jonë nuk do të mungon.
KOHA: Dhe në fund, cili është mesazhi i Juaj për shqiptarët në këtë ndërrim të motmoteve?
AHMETI: Viti që po vjen është vit shumë i rëndësishëm për të gjithë ne dhe kam përshtypjen që do të jetë vit përcaktues për ardhmërinë e vendit.
Njëkohësisht, pasi që në këtë vit po hyjmë me vendime kaq të rëndësishme për ne, siç është zyrtarizimi i Universitetit Shqiptar në Shkup, rrit- jen e buxhetit për 32% të UT-së bashkë me hapjen e 2 fakulteteve të reja, sallën e sportit dhe konviktet, por edhe me nisjen e procesit të gazifikimit të Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit si dhe fillimin e punësimeve të para në zonat ekonomike në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë si dhe themelimin e zonës në Likovë si dhe të tjera, unë jam i bindur që ky do të jetë vit i sukseseve, por gjithashtu dua të porosis shqiptarët që të vlerësojnë stabilitetin, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe vazhdueshmërinë, sepse janë elemente shumë të rëndësishme për mirëqenie dhe perspektivë. Ju uroj shëndet dhe mbarësi të gjitha familjeve shqiptare në vitin 2016.