“As sot edhe pas thirrjes së tretë, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi nuk u duk para dyerve të prokurorisë Publike në Shkup. Ai duhet të vijë dhe të japë deklaratë për tre çështje që lidhen me gjuhën e urrejtjes së përdorur nga ana e tij”, Besir Arifi, gazetar. Nga Prokuroria Themelore thonë se shtyrja e marrjes në pyetje është kërkuar nga avokati i Rexhepit
. “Avokati i personit të thirrur, sot përmes telefonit kërkoi që të shtyhet marrja në pyetje, me arsyetimin se për arsye personale shëndetësore ai nuk të marrë pjesë në marrjen në pyetje të klientit të tij. Kreut të BFI-së do t’I dërgohet thirrje për marrje në pyetje në orar tjetër”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Nga Bashkësia Fetare Islame nuk japin asnjë detaj, madje nga atje Agron Vojnika kërkon të respektohet neni 289 i kodit penal, fshehtësia e procedurës në këtë fazë, e nëse nuk respektohet thotë se do të kërkojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre. Nga ana tjetër, Skender Buzaku i emëruar me vendim gjykate si kreu i ri I BFI-së, mosarrdhjen e Sulejman Rexhepit sot në prokurori e sheh si ikje nga organet e drejtësisë të cilat nuk i pranon si të tilla. “E thërrasim Prokurorinë si dhe organet e tjera në të cilat ende kemi besim, që të veprojnë në bazë të ligjeve dhe normativave ligjore të vendit. Ne ende kemi besim se ata e kryejnë punën e vet, dhe po ashtu thërrasim që për këtë vepër të merren me seriozitet sepse nuk është vepër e vogël, e për këtë vepër sipas kodit penal parashihet burgim deri në 10 vite”, tha Skender Buzaku.
Kreu I BFI-së thirret nga Prokuroria Themelore të japë deklaratë në lidhje me denoncimin e Komitetit të Helsinkit për përdorim të gjuhës së urrejtjes gjatë ceremonisë së vendosjes së gur themelit të një xhamie. Përveç kësaj, nga prokuroria thonë se në bazë të informacioneve që qarkullojnë në opinion, po hetojnë se a ka elemente të gjuhës së urrejtjes gjatë deklaratës së kreut të BFI-së për gjykatësen e cila solli vendim për shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga funksioni kryetar i BFI-së. Këtyre u është shtuar edhe një akuzë e tretë. Pretendenti për kolltukun e Reisit, Skender Buzaku i tha TV21 se në prokurori ndaj Sulejman Rexhepit ka proceduar padi penale për gjuhë të urrejtjes dhe linçim-likuidim fizik.