Në opinion ka kërkesa që “fshesa” e Zoran Zaevit të “fshijë” krejt BDI-në nga Qeveria, e jo vetëm disa ministra të saj, për shkak të legjitimitetit të kufizuar që kjo parti ka te shqiptarët nga viti 2016, kur sipas ekspertëve zgjedhorë nuk ka përkrahje nga më shumë se 35 për qind e trupit elektoral. Edhe analistët shqiptarë vlerësojnë se ky do të ishte një hap konkret i kryeministrit në të mirën e shqiptarëve, pas shumë fjalëve të mira që janë për t’u përshëndetur.
Nga ana tjetër BDI ndjehet e nënçmuar nga “fshesa” e paralajmëruar e kryeministrit Zoran Zaev. Zëdhënësi i integristëve, Bujar Osmani thekson se asnjë nga ministrat dhe bashkëpunëtorët e Zaevit në Qeveri nuk është material për fshesë, duke paralajmëruar takim mes Ahmetit dhe Zaev për rikonstruimin e kabinetit qeveritar.
Osmani shtoi se temë bisedimi mes liderëve do të jetë edhe emri i ministrit që do të udhëheq me Ministrinë për Sistem Politik. Termi fshesë është i papërshtatshëm për shkak se bashkëpunëtorët tanë qoftë në Qeveri ose parti politike mund të jenë pjesë e ndryshimit të pozitave por ata nuk janë lëndë e fshesës dhe mendoj se kjo është ofenduese për bashkëpunëtorët e cilësdo parti politike -deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska hedh poshtë zërat se do të kthehet në Ministrinë e Arsimit, por duke mos e mohuar mundësinë që të largohet edhe nga Drejtësia.
Nuk do të kthehem në Arsim. Nuk jam Nikolla Todorov që të shëtis nëpër të gjitha ministritë. A do të largohem nga Ministria e Drejtësisë ose jo, nuk e di. Qëllimi im është të shkoj para dhe jo të kthehem mbrapa. Vendi i vetëm ku do të kthehesha përsëri është Fakulteti Juridik dhe jo Ministria e Arsimit – tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pranon se kryeministri Zaev dhe LSDM posedojnë një listë dhe koncept mbi të cilin do të bëhen ndryshimet.
Do të presim që kryeministri ta thotë dinamikën dhe nivelin e funksionarëve që do të ndërrohen, por duhet të them se konceptin se si do të funksionojë sigurisht se e kemi – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Jo zyrtarisht, pas inaugurimit të presidentit të ri në Parlament, i pari i organit ekzekutiv do të nisë me pastrimet brenda partiake dhe brenda qeveritare. Ndër resorët që përmenden se do të kenë ndryshime emrash janë, Ministria e Drejtësisë, ajo e Arsimit, Bujqësisë, Ministria e Jashtme dhe Shëndetësisë. Në nivel partiak, brenda LSDM-së pritet të ketë shkarkime nga pozitat partiake.
Jo zyrtarisht mësohet që “fshesa” e Zaev do t’i përfshijë pozitat më të larta partiake si pasojë e pakënaqësisë nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale, e posaçërisht në Shkup. Ndërkohë, Zaev është duke shqyrtuar edhe emrin e ri të Ministrit të Kulturës, i cili nuk dihet nëse do të vazhdojë t’i takojë partisë Alternativa apo do të shkëmbehet me resor tjetër.