Sa herë që ndërrimi i viteve troket në derë, gjithnjë më kujtohet një poezi e Xhevahir Spahiut, diku në fillim të viteve ’90–të. Një poezi me pak fjalë që thoshte:
Ky vit që shkoi, ish i zi/
Ky vit që vjen/
në mos i bardhë/
të paktën qoftë gri!
Përtej fatalitetit të kohës kur u shkruajt poezia që ndërthente shumë pikëpyetje, gjithnjë më ka pëlqyer ajo për shpresën e përmbajtur që ka brenda saj.
Si ishte viti që shkoi, ka mundësi të pyesë gjithkush veten e tij?
Përtej eksperiencave dhe emocioneve personale, padyshim që nuk ishte një vit i mirë. Por as një vit për t’u harruar.
Ishte një vit që e dominoi kërcënimi i terrorit. Një vit që nisi me masakrën e Charlie Hebdos, me dramën e atentateve të Parisit dhe u mbyll me anulimin e festimeve të Vitit të ri dhe hedhjes së fishekzjarreve në Bruksel dhe në disa qytete të tjera.
Ishte një vit kur të gjithë e kuptuam se të qëndrosh i qetë në shtetin apo qytetin tënd nuk mjafton të shohësh vetëm punën tënde.
Se drama që ndodh përtej kufijve të tu, mund të bëhet një ditë drama jote! Siç ndodhi me ISIS dhe luftën në Siri!
Ishte viti i emigrantëve. Viti i njerëzve të dëshpëruar. Sirianë, afganë, pakistanezë, kurdë, që u shfaqën në kufijtë e Europës së kamur me gjithë dramën dhe trishtimin e tyre. Me fëmijët që jo në pak raste ua mori deti duke ju lënë në mes ëndërrat dhe shpresat.
Viti kur Europa zbuloi se ishte e pafuqishme për të kryer detyrën e parë dhe më fisnike të botës: mikpritjen!
Ishte edhe viti i emigrimit të shqiptarëve. Disa qindra mijëra që u turrën në sportelet e postës për të mbushur letrat e lotarisë amerikane apo që kërkuan azil në kampet e Gjermanisë, Austrisë, Britanisë e deri Islandës.
Disa prej tyre u kthyen, madje përdhunshëm, sepse Europa ka rregulla dhe rregullat janë për t’u respektuar.
Ishte viti i “bëmave” shokuese brenda parlamentit shqiptar. Viti i deputetëve që akuzonin njëri–tjetrin për vrasje, viti i arrestimit të disa prej tyre dhe i mandateve të hequra.
Viti që u dominua nga emrat e Tom Doshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës, Armando Prengës, Ilir Metës, Pjerin Ndreut të lidhur shpesh herë me ca histori të pabesueshme.
Por ishte edhe viti që solli ligjin e dekriminalizimit dhe ndërgjegjësimin e politikës shqiptare se kështu nuk mund të ecet më.
Viti që me shpresë do të lërë në shtëpi shumë prej zullumqarëve që sot kanë gllabëruar vendet e parlamentit apo zyrat e shtetit.
Ishte viti kur blerja e votës u bë më hapur dhe më dukshëm se kurrë, por edhe viti, kur të huajt, por edhe shqiptarët u përballën më bindshëm se herët e tjera me të.
Viti kur politika u tremb nga deklaratat e ambasadorëve dhe nisi të braktisë shout vanitozë me makina luksi e ora të shtrenjta dhe të vijë më afër kolegëve të tyre në Europë.
Ishte një vit i vështirë ekonomik, por mbase edhe më i vështirë është ky që vjen.
Mund të ketë edhe shumë gjëra të tjera, që gjithsecili i përjeton sipas mënyrës së tij, por ka edhe një gjë që na bën krenarë të gjithë. Për herë të parë në histori, ekipi kombëtar i futbollit kualifikohet për fazën finale të Kampionatit Europian.
Po ta kish thënë dikush 2 vite më parë, do e kishim parë me shaka, por ndodhi.
Dhe 2016 është viti i sfidës sonë franceze. Paçim fat!
Ndaj kur e shoh gjithë vitin që kaloi, shpresa që ky vit do jetë më i mirë, më vjen e zbehtë.
Dhe më shpresë të përmbajtur, po recitoj edhe një herë vargjet e fundit të poezisë së Xhevahir Spahiut, 2016, në mos u bardhë, të paktën qoftë gri!