Pas zgjedhjes së paradokohshme në krye të Kuvendit të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Mustafa Shentop, i cili është me origjinë nga Maqedonia, ai po vazhdon të presë personalitete të rëndësishme të këtyre trevave dhe të diskutojë për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.
Në këtë frymë dje profesori i Universitetit të Tetovës, Adnan Ismaili, i cili është njëherazi edhe drejtues i SHB “Logos-A”, ishte për një vizitë urimi te kryetari i Kuvendit të R. së Turqisë, z. Shentop, me ç’rast përveç urimit dhe diskutimit për gjendjen e gjithmbarshme sociale, arsimore e kulturore në Maqedoninë e Veriut, u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit akademik të institucioneve arsimore e shkencore të Turqisë me Universitetin e Tetovës shkruan Almakos.
Kryetari i Kuvendit turk, Prof. Dr. Mustafa Shentop, e falënderoi Prof. Ismailin për vizitën dhe shfaqi gatishmëri që të ndihmojë dhe ofrojë bashkëpunim me institucionet relevante të shtetit turk, gjithë kjo në frymë të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, por edhe të qasjes vëllazërore që ka populli turk me popullatën e këtyre trevave.
Edhe Prof. Dr. Adnan Ismaili, nga ana e tij, e falënderoi kryetarin Shentop për takimin dhe për kujdesin që ai shfaq për vendet e Rumelisë, ndërsa shfaqi edhe vullnetin e mirë të stafit akademik të UT-së, si dhe të degës së Filologjisë Orientale, ku studiohet edhe turkologjia, që bashkëpunimi me institucionet simotra të shtetit të turk të avancohet dhe kjo të jetë në dobi të të dyja vendeve dhe popujve./Almakos