Alsat 2019-04-19T15:34:38+02:00
Kandidati për President, Stevo Pendarovski fushatën parazgjedhore e fokusoi në konceptin e integrimeve Euro-Atlantike. Ai gjatë fjalimeve të tij nëpër tubime, ardhmërinë e vendit e ka ndërlidhur me opsionin e vetëm për të votuar atë, duke i thënë elektoratit se e kanë amanet që Maqedoninë e Veriut të anëtarësojnë në familjen Evropiane.
Nuk do të jetë dallimi vetëm në emër e mbiemër Stevo apo Gordana. Në esencë ju të gjithë duhet të zgjedhni konceptin që e çon Maqedoninë drejt Evropës, për konceptin që na drejton kah bota e zhvilluar, ku shanset janë më të mëdha. Dhe varianti i dytë që partia opozitare na propozojnë përmes kandidates së tyre, të cilët duan të kthehemi mbrapa – tha Stevo Pendarovski, kandidat për president.
Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev herë pas here ka marrë pjesë nëpër tubime. Ai përcolli mesazhin se Maqedonisë i duhet një president që do të bashkoj popullin.
Populli i bashkuar, nga të gjitha bashkësitë etnike u rreshtuan pas një kandidati. Populli ynë e lëshoi zërin dhe ne 31 parti politike u rreshtuam pas kandidatit të ardhmërisë së vendit tonë. Qëndrojmë pas Stevo Pendarovskit, përfundimisht të kemi një president ashtu siç e meritojmë – u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Kurse, nga BDI kanë zhvilluar fushatë dhe tubime ndarazi nëpër vendbanimet shqiptare. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, mbrëmë në Dibër tha se Stevo është vizioni për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Ju ftoj, gjithashtu, që me 21 prill votoni numrin 3 – Stevo Pendarovskin për president, votoni vizionin, vizionin që kemi paraqitur përpara të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut sepse vetëm me këto koncepte ecet përpara – deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
BDI do të përmbyll fushatën për Zgjedhjet presidenciale 2019 me tubimin qendror në Tetovë. Kurse, LSDM së bashku me Kandidatin Pendarovski, tubimin përmbyllës do ta mbajnë sonte në Ohër.
Adnan Qaili
Loading…