Kreu i BDI-së Ali Ahmeti i është kthyer edhe një herë konfliktit të vitit 2001. Ai një tubim elektoral para banorëve të Bogovinës së Tetovës, numëroi të gjitha të arriturat e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë dy dekadave të kaluara. Në këtë tubim, Ahmeti foli edhe një herë për ofertën që kishte marrë për ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001 dhe tregoi arsyet pse nuk pranoi ndarjen e vendit. Por, kreu i BDI-së, tha se tani është koha të gjitha komunitetet të punojnë bashkërisht për një të ardhme më të mirë të vendit.
“Në vitin 2001, momentin më të vështirë e kam patur, a me nda këtë vend, a mos me nda. Dhe sigurisht që vendoste Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Ofertat në tavolinë kanë qenë. Jo njëherë e kam thënë dhe e ndjej për obligim që ta përsëris, ky ka qenë momenti më i vështirë sepse 250 mijë shqiptarë mbeteshin andej, 60 mijë maqedonas duhej të dëboheshin nga këndej andej. Do të vinte deri te këmbimi i popullatës, dhimbje të reja, plagë të reja, sepse varret dhe eshtrat e të parëve nuk merren. Atëherë vendosëm të pranojmë Marrëveshjen e Ohrit”, mes tjerash kreu i BDI-së Ali Ahmeti.