Alsat 2019-04-02T18:06:13+02:00
Grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës edhe sot nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet në propozim-ligjin mbi Prokurorinë Publike. Palët kanë përafruar qëndrimet mbi statusin e PSP-së, por janë larg marrëveshjes për materialet e përgjuara si dëshmi në procedurë. Sipas ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, në rast të marrëveshjes së mundshme, Kuvendi menjëherë duhet të thërret seancë për miratimin e ndryshimeve.
Janë marr në konsideratë rekomandimet e BE-së të cilat ishin mjaft të zëshme kohës së fundit dhe në këtë drejtim ka pak avancim. Gjithsesi se çështja nuk është mbyllur. Nevojiten konsulta dhe rekomandime shtesë në lidhje me procedurat. Qëndrimi jonë këtu mbete që nuk guxon që me ligj të mbyllen procedurat dhe rrëzohen dëshmitë dhe me këtë të amnistohet kriminaliteti- deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
U morëm vesh që ta vazhdojmë dialogun dhe ta konkretizojmë në çështjet për të cilat ne fakt ka akoma punë për t’u marr vesh. Vlerësoj se atmosfera e sotme ishte pozitive dhe në këtë drejtim shpejt pritet të arrihet progres- tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.
Sipas partisë opozitare, VMRO-DPMNE, ndonëse palët janë larg marrëveshjes, dëshira për të arritur konsensus mbetet akoma.
Mbeten të thella dallimet mbi dallimet që i kemi në këtë çështje, por dua të theksoj se mbetet edhe dëshira për të vazhduar negociatat me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje me kompromis e cila nga Kuvendi do të miratohet me konsensus- deklaroi Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Para takimit Milloshovski deklaroi se arritje e marrëveshjes varet nga Ministria e Drejtësisë, duke shtuar se opozita nuk këmbëngul në kërkesën për kryeprokuror, por që pushteti nevojitet t’ia mundësoj një gjë të tillë. Opozita maqedonase kërkon të përfundohen lëndët e PSP-së të dorëzuara në gjykatë deri në qershor të vitit 2017 dhe PSP-ja me përbërjen aktuale të pushojë së ekzistuari, të formohet komision hetimor për punën e deritanishme të ekipit të Janeves, të formohet PSP e re, me ekip të ri, në kuadër të Prokurorisë për krim të organizuar por me kompetenca të zgjeruara dhe të zgjidhet kryeprokuror publik me propozim të opozitës. Pozita në propozim/ligj parashikon që PSP-ja të jetë njësi e veçantë në Prokurorinë e rregullt për të ndjekur krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, materialet e përgjuara për lëndët e proceduara ose në fazë parahetimore të shfrytëzohen si dëshmi deri në shtator të viti 2020 dhe kryeprokurori special të mos ndryshohet.
Adrian Kerimi
Loading…