Nxënësitë shqiptarë në Maqedoni nuk i tangonë vetëm problemi i të privuarit nga e drejta që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, e drejtë kjo e paraparë me Kushtetutë dhe mbrojtur me ligj. Ata, çdo ditë ballafaqohen edhe me problemin e hapsirave gjatë realizimit të procesit edukativo-arsimor. Gjithë kjo situatë është si rrjedhoj e mosshpërndarjes së njëtrajtshme të nxënësve nëpër klasa dhe objekte.
Mbajtja peng e klasave dhe objekteve për nxënësit shqiptarë, në shkollën fillore Toli Zordumis por edhe në atë Vuk Karaxhiq në Kumanovë, është edhe një problem i krijuar artificialisht, e që ka prapavijë politike.
Raporti nxënës – për një (1) klasë në shkollën fillore Toli Zordumis dallon, nvarësisht prej përkatësisë etnike të nxënësve. P.sh. te paralelet me mësim në gjuhën maqedone kemi nga 5-6 nxënës në një klasë, ndërsa kur bëhet fjalë për paralelet në gjuhën shqipe, atëhërë në një klasë kemi deri në 34 nxënës.
Këtë 10 vjeçarin e fundit bëhen tentime dhe përpjekje nga më të ndryshme nga ana e udhëheqësisë së kësaj shkolle, e me të vetmin qëllim që të mos formohet paralelja e dytë me mësim në gjuhën shqipe.
Kështu, nxënësit shqiptarë janë të detyruar ta paguajnë koston politike dhe të njejtit të grumbullohen nga 34 nxënës me një klasë, përkundër moshatarëve të tyre maqedon që me një komoditet shumë te madhë zhvillojnë procesin edukativo-arsimor, kështu duke numëruar vetëm 5-6 nxënës nëpër klasë.
Nga udhëheqësia e shkollës çdo vit gjejn justifikime të ndryshme të mos pranojnë më shumë se 34 nxënës në klasë të parë (I), vetëm e vetëm mos të hapin edhe paralelen e dytë në gjuhën shqipe. Sepse, sikur të pranonin më tepër se 34 nxënës në klasë të I, atëherë edhe ligjërisht janë të detyruar të hapin edhe paralelen e dytë me mësim në gjuhën shqipe.
Edhe pse sipas nenit 2 të ligjit për arsim fillor ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, përkatësisë nacionale, sociale, politike, fetare, pronësore dhe shoqërore në realizimin e të drejtave nga edukimi dhe arsimi fillor, ky nen sikur nuk vlen kur bëhet fjalë për këtë shkollë.
Në vazhdim po japim një pasqyrë rreth strukturës, përbërjes dhe shpërndarjes së nxënësve në kuadër të shkollës fillore Toli Zordumis, sipas përkatësisë etnike:
Sipas përkatësisë etnike kemi këtë përbërje:
-shqiptarë: 268 nxënës
-maqedon: 169
-romë: 19
-serb: 20
-tjerë: 2
Shkolla Toli Zordumis (qendrore) 2017/18:
Numri total i nxënësve:
I- 50 nxënës
II- 54
III- 61
IV- 58
V- 44
VI- 53
VII- 52
VIII-47
IX- 59
Numri i nxënësve shqiptarë:
Klasa e I- (33) nxënës (të grumbulluar në 1 paralele)
Klasa e II- (32) nxënës (të grumbulluar në 1 paralele)
Klasa e III- (34) nxënës (të grumbulluar në 1 paralele)
Klasa e IV- (33) nxënës (të grumbulluar në 1 paralele)
….
Numri i nxënësve maqedon (+serb dhe romë):
Klasa I- (17) nxënës (të shpërndarë në 3 paralele)
Klasa II-(22) nxënës (të shpërndarë në 3 paralele)
Klasa III-(26)nxënës (të shpërndarë në 3 paralele)
Klasa IV-(25)nxënës (të shpërndarë në 3 paralele)
Ndërsa, sipas të dhënave që posedojm, për vitin shkollor 2018/19, kemi të regjistruar vetëm 14 nxënës maqedon, serb dhe romë në klasë të parë.
Të gjithë 268 nxënësit shqiptarë e kësaj shkolle fillore janë të grumbulluar në 9 paralele, përkundër 169 nxënësve maqedon (+41 nxënës të bashkësive tjera më të vogla etnike) që janë të shpërndarë në 27 paralele.
Këto shifra dhe numra nuk janë aspak të rastësishme, sepse nga numri i paraleleve nvaret edhe përbërja e përgjithshme e Këshillit të shkollës, antartë e së cilit kanë të drejtë vote brenda vetë Këshillit. Në këtë mënyrë, për prindërit maqedon në dispozicion janë 27 vota (nga 27 paralele), ndërsa prindërve shqiptarë u mbeten vetëm 9 vota në Këshillin e shkollës (përkundër faktit se nxënësit shqiptarë këtu janë shumicë).
Nga kjo shihet qartë se, për çdo vendim në kuadër të shkollës, prindërit shqiptarë majorizohen dhe mbivotohen nga ”të tjerët”, edhe atëherë kur bëhet fjalë për interesin e nxënësve shqiptarë aty.
Këto standarde të dyfishta për nxënësit shqiptarë dha ata maqedonas, në shkollën fillore “Toli Zordumis” në Kumanovë, patën detyruar nxënësit (bashkë me prindërit e tyre) shqiptarë që të bojkotojnë procesin edukativo-arsimor.
Ata patën kërkuar formimin edhe të një paralele në gjuhën shqipe, duke shpresuar se kjo do të përmirësojë edhe cilësinë e mësimit, pastaj së paku zëvendësdrejtori të jetë shqiptar, si dhe pjesë e stafit tekniko-administrativ të këtë edhe nga bashkësia etnike shqiptare, sepse asnjë puntorë shqiptarë nuk është pjesë e personelit të kësaj shkolle.
Edhe pse kërkesat e tyre ishin të qarta, të drejta dhe legjitime, por impotenca politike e pushtetarëve shqiptarë e heshti protestën, dhe sot e kësaj dite nuk arrinë të gjej zgjidhje për këtë problematik.
Si rezultat i këtij dëshprimi, kohëve të fundit, shumë e prindi shqiptarë nxjerr fëmiun e tij nga kjo shkollë (Toli Zordumis) dhe të njejtit i transferojnë në shkollën fillore Bajram Shabani. Në këtë mënyrë, edhe më tepër ua lehtësojmë dhe u ndihmojmë në planet dashakeqe të udhëheqsisë së shkollës së lartëpërmendur.
Përderisa pushtetarët tanë i ka kapluar gjumi dimëror, të tjerët punojnë në staza afatgjata duke përpiluar projekte konkrete. Viteve të fundit, ata, duke parë rrezikun e zbrasjes së shkollës Toli Zordumis nga nxënësit joshqiptarë, si rezultat i natalitetit të ulët dhe shpërnguljes së banorëve maqedonas, serb dhe romë nga ky vendbanim, në mënyrë artificiale shkollës Toli Zordumis ia bashkangjesin edhe numrin e nxënësve nga fshati Rexhanoc (me nxënës maqedon). Të njejtit nxënës, deri para disa viteve, ishin pjesë e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”-Llopat.
Qëllimi ishte teje i qartë – mbajtja sa më gjatë dhe në mënyrë artificiale e shkollës Toli Zordumis.
Ja të dhënat për numrin e nxënësve nga Toli Zordumis (rajonale-Rexhanoc) për vitin shkollor 2017/18:
Gjithsej: 62 nxënës
Nga klasa I-IX = 62 nxënës (të gjithë maqedon)
Klasa e I: 4 nxënës
Situatë gati të njejtë me hapësirë kemi edhe në shkollën fillore Vuk Karaxhiq. Objekti i shkollës Vuk Karaxhiq është vazhdimësi e objektit të shkollës Naim Frashëri. Pra, është në lokacion të përbashkët me shkollën Naim Frashëri që gjendet në Lagjjen e Trimave. E ndanë vetëm një derë me dry.
Përderisa në shkollën fillore Naim Frashërit, në mungesë të klasave, janë detyruar edhe toaletet t’i adaptojnë në klasë, në pjesën tjetër të objektit, që është në pronësi të shkollës Vuk Karaxhiq, ka një komoditet shumë të madh për nxënësit joshqiptarë. Aty kemi klasë me vetëm 4-5 nxënës.
Para disa viteve, nga udhëheqsia e Naim Frashërit, kishin bërë kërkesë për shtimin e paraleleve në drejtim të pjesës së shkollës Vuk Karaxhiq, por kjo gjë sikur u kalua me heshtje. Më vonë, për t’i ikur një kërkese të till, këta të fundit, i patën shndrruar klasat e zbrazura, në zyrë drejtori si dhe patën bartur administratën shkollore nga pjesa perendimore në pjesën lindore të shkollës që kufizon me klasat e Naim Frashërit. Ndërkaq, salla e sportit që është në pjesën e objektit të shkollës Naim Frashëri, në dokumentacion figuron dhe udhëhiqet si pjesë e shkollës fillore Vuk Karaxhiq.
Po paraqesim gjendjen e shkollës Vuk Karaxhiq dhe përbërjen e saj për vitin shkollor 2017/18:
Gjithsej: 135 nxënës
Sipas përkatësisë etnike:
maqedon: 103 nxënës
romë: 16
serb: 16
Klasa 1: 11 nxënës (maqedon + serb + romë)
Klasa 2: 18
Klasa 3: 12
Klasa 4: 9
Numri i përgjithshëm i paraleleve në shkollën Vuk Karaxhiq është 18, që i bie nga dy paralele për çdo gjeneratë. Madje, klasa e I këtë vit shkollor (2018/19) numëron vetëm 10 nxënës dhe është e ndarë ne dy paralele, gjithashtu klasa IV numëron 9 nxënës dhe e njejta është ndarë në dy paralele. Mesatarisht i bie 4-5 nxënës brenda një paralele. Ndërsa, në klasë të parë në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’ kemi të regjistruar 170 nxënës, të cilët janë të shpërndarë në 6 paralele.
Nga kjo gjendje konkludojme se, në shkollën Naim Frashëri në 24 klasë (+3 toalete të shndrruara në klasë) mësojnë 1270 nxënës shqiptarë, ndërsa në pjesën tjetër të objektit, që i përket shkollës Vuk Karaxhiq, në 17 klasë mësojnë gjithsej 135 nxënës maqedon dhe të pakicave tjera etnike (serb e romë).
Shkolla fillore “Naim Frashëri” bashkë me shkollën tjetër në gjuhën shqipe, Bajram Shabanit nga Kumanova, bien në grupin e 23 shkollave fillore të rregullta, nga gjithsej 1133 shkollat fillore të rregullta që kemi në vend, ku numri i nxënësve sillet mes 1001-1500 nxënës.
Ndërkaq, në anën tjetër kemi 472 shkolla fillore të rregullta në vend (gati gjysma e numrit të përgjithshëm) ku numri i nxënësve arrin deri në 25 nxënës për një shkollë.
Kam bindje se numri i lartë i nxënësve në një paralele është dukuri pothuajse në të gjitha shkollat shqipe, por më e theksuar dhe e politizuar është në Kumanovë.
Për fund mund të thuhet se, përpjekjet shumëvjeçare e udhëheqsive të shkollave të lartëpërmendura, Toli Zordumis dhe Vuk Karaxhiq, që në mënyre artificiale objektet t’i mbajnë në “pronësi” të tyre, deri sot po rezulton me sukses.
Edhe pse DE FACTO kemi një realitet të ri nëpër këto shkolla-objekte, DE JURE, të njejtat akoma mbesin larg prezencës së barabartë e të dinjitetshme nga nxënësit shqiptarë në realizimit të procesit edukativo-arsimor.
Ridvan Ismaili