Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Marmull të Gjakovës.
Sipas njoftimit për media thuhet se sot prokuroi i rastit pritet të paraqet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Me datën 12.03.2019, rreth orës 18:30, në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje me armë zjarri. I dyshuari A. Gj., nga i njëjti fshat ka privuar nga jeta T.B., i moshës 40 vjeç dhe ka plagosur një person tjetër A.N., 56 vjeçar.
Sipas deklaratës së të plagosurit, dyshohet se motivi është pronësor. Policia pasi ka bastisur shtëpinë e të pandehurit, e ka arrestuar të njëjtin dhe i ka konfiskuar armën me të cilën i ka kryer veprat.
Nga ana e Njësisë së forenzikës së policisë rajonale është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe janë siguruar dëshmitë e nevojshme.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa personi i cili ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Sot pritet që prokurori i rastit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit të paraqet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.
Sipas policisë, lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar.
“Një mashkull K/Shqiptar ka plagosur me armë zjarri dy meshkuj K/Shqiptarë. Viktimat janë dërguar në emergjencë nga familjarët dhe pas një kohe njëri nga viktimat ka ndërruar jetë, ndërsa i plagosuri tjetër, sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.
Policia ka arrestuar dy te dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, si dhe ka konfiskuar armën e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me urdhër të prokurorit, njëri prej të dyshuarve është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/