Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka reaguar pas dështimit të seancës për heqjen e imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski, i cili dyshohet si njëri ndër organizatorët e ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend më 27 prill të 2017.
Sela në një postim në facebook ka atakuar direkt kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe BDI që realizuan skenarin për shpëtimin e deputetit të VMRO-DPMNE, Veljanovski, i cili në ngjarjen e përgjakshme të 27 prillit ishte kryetar i Kuvendit dhe se janë gjetur shumë prova dhe komunikime për organizimin e ndërhyrjes së dhunshme.
Ja postimi i Ziadin Selës:
E vërteta e xhveshur. Dje Agimi sot Talati. Imagjinoni njeriu që u zgjodh kryetar kuvendi nën brohoritje dhe zhurmë pa mikrofon përpara tij, sot (gjoja) i pengoi vetem një zë për ta hedh në votim propozimin për marrjen e imunitetit të Trajko Veljanovskit.
Ishte një zë apo janë shumë afera, mes të cilave edhe 27 prilli (për të cilën Veljanovski ka shum çka mund të zbuloj) që e detyruan kreun e BDI-së të bëj skenarin e sontëm?
P.S. Është dora e zgjatur apo bishti i kapur!?”, ka shkruar deputeti dhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela.