Ministri pa resor përgjegjës për Llogaridhënie dhe Transparencë i Maqedonisë, Robert Popovski, njoftoi se gazetës “Zaman Maqedoni” të lidhur me organizatën terroriste FETO, i është ndarë mbështetje financiare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë shtypi, Popovski dje shpalosi listën e mediumeve të shkruara të cilave u janë ndarë mbështetje financiare për shtypje dhe shpërndarje për vitin 2018.
Në kuadër të programit, nga 13 mediume, 11 prej tyre u është ndarë mbështetje, përfshirë edhe gazetën “Zaman Maqedoni”. Siç u njoftua, gazetës së FETO-s i janë ndarë 903.092 denarë (rreth 14.670 euro) në kuadër të këtij programi.
Reagoi Ambasada e Turqisë në Shkup
Ndaj ngjarjes ka reaguar Ambasada e Turqisë në Shkup, e cila përmes një deklarate me shkrim ka dënuar ashpër mbështetjen e ndarë për gazetën “Zaman Maqedoni” të lidhur me FETO-n.
“Dihet se Republika e Turqisë mbështet Republikën e Maqedonisë që nga pavarësia e saj në të gjitha fushat e rëndësishme. Mbështetja dhe raporti i Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Maqedonisë kanë qenë gjithmonë miqësore dhe qëllimmira”, thuhet në deklaratë.
“E konsiderojmë vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për të ndarë mbështetje financiare për gazetën e FETO-s si skandaloz dhe të papranueshëm. Presim që Qeveria e Maqedonisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të marrë në konsideratë marrëdhëniet e gjata miqësore midis dy vendeve dhe dy popujve”, thuhet më tej në reagimin e ambasadës.
“Përpiqemi maksimalisht të parandalohet”
Ndërkaq, ministri pa resor Elvin Hasan, në një prononcim për AA tha se vitin e kaluar Këshilli i Ministrave ka marrë vendim për mbështetje për mbështetje për mediumet e shkruara dhe më pas kompetencat për këtë ia ka dorëzuar Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), dhe siç njoftoi Qeveria e Maqedonisë, realizimi i këtij projekti i është lënë Asociacionit për Mbrojtjen e Mediave të Shtypura.
Ai tregoi se gjatë hartimit të këtij proekti, ai nuk ka qenë në detyrën e ministrit, porse ka ardhur në këtë detyrë në fund të vitit të kaluar.
Hasan theksoi në kuadër të programit, është formuar një komision me pjesëmarrje edhe të komunitetit ndërkombëtar dhe këtu janë vendosur kriteret për këtë program, sipas të cilave, aplikuesve u është ndarë mbështetja.
Ai njoftoi se të gjitha institucioneve dhe autoriteteve ua ka komunikuar reagimet e nevojshme në lidhje me rastin.
“Ne reaguam dhe jemi duke u përpjekur maksimalisht që të parandalohet dhe të mos përballemi më asnjëherë me një gjendje të këtillë”, deklaroi Hasan.
Hasan tha se Këshilli i Minstrave ka vendosur vetëm për mbështetje të mediumeve të shkruara, ndërsa shoqata e lartëpërmendur së bashku me organizatat ndërkombëtare, me në krye OSBE-në, ka bërë seleksionimin e fituesve të mbështetjes. Ai tha se komuniteti turk në Maqedoni është i shqetësuar nga ky vendim.
“Kjo nuk është çështje për të cilën duhet heshtur”
Po ashtu, kryetari i Partisë së Lëvizjes Turke (THP) në Maqedoni dhe njëherësh deputet në Kuvendin e Maqedonisë, Enes Ibrahim, theksoi se ngjarja ka ndodhur jashtë dijenisë së tyre dhe se reagimin e nevojshëm do t’ia komunikojnë ministrit Popovski dhe kryeministrit.
Ibrahim theksoi se shoqata që ka luajtur rol në ndarjen e mbështetjes ka shfrytëzuar mjetet nga buxheti i qeverisë, duke shtuar se nga sot kanë filluar përpjekjet e nevojshme për anulimin e marrëveshjes për këtë mbështetje.
Ai nënvizoi se presin që çështja sot të aktualizohet në Këshillin e Ministrave.
“Që nga sot, ne do të bëjmë përpjekjet e nevojshme që marrëveshja të anulohet, pra, që marrëveshja me gazetën e FETO-s të mos realizohet”, tha Ibrahim.
Reagime ndaj mbështetjes për gazetën “Zaman Maqedoni” ka shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë (TDP), Beycan Ilyas, i cili njoftoi se janë duke i ndjekur nga afër zhvillimet dhe se sot do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev për ta trajtuar këtë çështje.
Ai tha se mbi çështjen do të flitet edhe me zyrtarët e partisë dhe se do të bëjnë reagimet e nevojshme.
“Pa dyshim, kjo nuk është çështje për të cilën duhet heshtur. Është e papranueshme që gazeta Zaman, organ mediatik i organizatës FETO, të mbështetet në njëfarë mënyre me taksat e Maqedonisë, me taksat tona. Edhe pse jemi në qeveri, përkundër të gjithave, ne nuk mund të pranojmë çdo gjë”, tha Ilyas.
Ilyas tha se nga arsyet më të mëdha për pjesëmarrje në koalicionin qeveritar është lufta kundër FETO-s, të cilën e kanë cilësuar si “linja e kuqe”, dhe shtoi se kjo çështje nuk është një rast ndaj të cilit duhet ngelur indiferent.
“Kjo është dyfytyrësi e Qeverisë së Maqedonisë”
Ndërkohë, Erdoğan Saraç, kryetari i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), tha se si refleks dhe ndërgjegje kombëtare e turqve të Maqedonisë, është e pamundur të pranohet kjo “dyfytyrësi” e qeverisë.
Saraç tha se nuk ka asnjë element që mund të kuptohet në mbështetjen që i është ndarë një mediumi të një organizate e cila cilësohet si terroriste nga Turqia dhe është haptazi është shprehur si armike e Republikës së Turqisë.
“E them sinqerisht dhe qartazi, kjo është dyfytyrësi e Qeverisë së Maqedonisë. E dënojmë si shenjë e refleksit dhe ndërgjegjes kombëtare të turqve të Maqedonisë dhe i ftojmë qeverinë të kryejë detyrën në kuptimin e plotë të fjalës. Asnjëherë nuk mund të pranojmë një standard të këtillë të dyfishtë ndaj Republikës së Turqisë, që është një vend mik dhe vëllazëror. Ne do të përpiqemi maksimalisht të bëjmë atë që duhet në këtë drejtim”, tha Saraç.
“Zyrtarët e Maqedonisë ta shndërrojnë në vepra mbështetjen e deklaruar”
Kryetari i Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB), tha se e kanë pritur me pikëllim dhe habi lajmin për mbështetjen për gazetën e lidhur me FETO-n.
Sipas tij, vendim në fjalë është goditje e rëndë ndaj frazës “Maqedonia dhe Turqia janë vende mike”, e cila potencohet shpesh në çdo platformë.
“Presim që Maqedonia dhe institucionet e saj të pozicionohen kundër organizatës gjakatare terroriste FETO, e cila më 15 korrik 2016 tentoi një grusht shteti, duke martirizuar 250 persona dhe plagosur mijëra të tjerë, dhe në anën e drejtësisë, vullnetit kombëtar, demokracisë dhe Republikës së Turqisë”, tha Emin.
Emin rikujtoi se kryeministri Zaev gjatë festimit të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni në vitin 2017 e kishte cilësuar FETO-n si “organizatë terroriste” dhe kishte deklaruar se Maqedonia do të jetë në anën e Turqisë.
Ai po ashtu rikujtoi se edhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov gjatë vizitës në Ankara dy javë më parë ishte shprehur se vendi i tij do të jetë gjithnjë pranë Turqisë në luftën kundër terrorizmit, duke shtuar se mbështetja e ndarë për gazetën e FETO-s ka lënduar thellësisht turqit në Maqedoni.
Emin tha se është e nevojshme që ky vendim që ka pikëlluar komunitetin turk në Maqedoni dhe do të prek raportet me Turqinë duhet rishqyrtuar menjëherë, duke shrprehur pritjet që, siç tha ai, zyrtarët e Maqedonisë ta shndërrojnë në vepra deklaratën se “do të jemi në anën e Turqisë kundër terrorizmit”.