20 Janar 2019 / 15:50
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar shprehet optimist se Marrëveshja e Prespës së shpejti do të ratifikohet edhe në parlamentin grek. Sipas tij lidershipi i treguar në Maqedoni për të zgjidhur çështjen shekullore duhet të reflektojë edhe në Greqi.
Fillimisht më duhet ta them se për ta arritur marrëveshjen e Prespës kishte nevojë për vendosshmëri, besueshmëri dhe lidership. Këtë e pamë në momentin e nënshkrimit, ratifikit të saj në parlamentin e Maqedonisë dhe jamë optimist se të njejtën do ta shohim edhe në parlamentin grek madje së shpejti. Mbetem optimist dhe shoh gatishmëri tek dyja palët për zbatimin e marrëveshjes së Prespës- theksoi Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup për Radio Evropën e Lirë.
I pyetur nëse BE-ja do ta mbaj fjalën që Maqedonisë t’i jep datën për bisedime nëse marrëveshja ratifikohet nga dyja palët, Zhbogar theksoi se energjia e njejtë duhet koncentruar edhe në zbatimin e reformave prioritare.
Mos harroni se vitin e kaluar kur flitej për bisedimet, ministrat ishin duke folur për çështjen e emrit por në të njejtën kohë edhe për reformat që duhet zbatuar si parakusht për hapjen e bisedimeve. Besoj se ministrat do t’i shqyrtojnë dhe vlerësojnë reformat e bëra nga viti i kaluar. Për ta arritur marrëveshjen e Prespës, për ta ratifikuar, për ta ndryshuar kushtetutën, nevojitej shumë vendosshmëri, forcë dhe besim në vete si komb. Duhet vetëm ta bëni të njejtën në zbatimin e reformave- tha Zhbogar.
Duke folur për amnistinë e 27 prillit, Zhbogar deklaroi se ka kuptim për pakënaqësitë në opinion, por që proceset nuk guxojnë te ngecin dhe se procesi i pajtimit duhet të vazhdojë. Nga ana tjetër, lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Zhbogar theksoi se Gjykata Kushtetuese është ajo e cila do të vendos për kushtetutshmërinë e saj.
Adrian Kerimi
Loading…